Veliaj i dorëzon “Çelësin e Qytetit” Presidentit të Bordit të bankës Intesa Sanpaolo, Gian Maria Gros-Pietro

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi “Çelësin e Qytetit” Presidentit të Bordit të bankës Intesa Sanpaolo, Gian Maria Gros-Pietro. Veliaj vlerësoi kontributin e bankës Intesa Sanpaolo, në vitet e vështira të tranzicionit shqiptar dhe rolin e saj në edukimin financiar të qytetarëve.

“Është një kënaqësi e veçantë që Presidenti i Bordit të Intesa Sanpaolo është këtu në Tiranë. Ai përfaqëson një investim të jashtëzakonshëm të një banke, e cila ishte banka e parë, nga e cila mësuam çfarë ishte banka e kreditit, si përdorej një makinë ATM etj. Shqipëria ka ndryshuar shumë, sigurisht që është rritur bashkë me bankat e tjera dhe teksa kemi një histori suksesi të bankës, kemi edhe një histori suksesi të Shqipërisë dhe sidomos të Tiranës, e cila ka 50% të ekonomisë së vendit”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se Shqipëria dhe Italia kanë një marrëdhënie të veçantë, ku shumë qytetarë nga të dyja vendet kanë krijuar histori suksesi. “Sot jemi në një situatë ku kemi shqiptarë që kanë një histori suksesi në Itali, por kemi edhe italianë që kanë një histori suksesi këtu në Shqipëri. Besoj që raporti më special është raporti mes njerëzve. Urat që krijojnë njerëzit janë të paçmueshme. Filozofia juaj, ku patjetër bilanci i bankës duhet të jetë pozitiv, po edhe bilanci human i qytetit tonë të jetë pozitiv dhe që këto bilance shkojnë krah për krah është ndoshta filozofia më e mirë e të bërit biznes”, theksoi Veliaj.

Duke vlerësuar kryebashkiakun për këtë vlerësim, Presidenti i Bordit të bankës Intesa Sanpaolo, Gian Maria Gros-Pietro u shpreh se e admiron Shqipërinë për atë që është dhe për progresin e saj të vazhdueshëm. “Faleminderit z. Kryebashkiak. Të marrësh çelësat e një qyteti është një nder i madh. Është diçka që i takon zemrës. Shqipëria është një vend që unë e dua dhe e admiroj për atë që është, për atë që ka qenë përgjatë historisë së saj, për atë që është sot dhe për progresin e vazhdueshëm”, nënvizoi Gian Maria Gros-Pietr.

SHKARKO APP