Veliaj i përgjigjet Bashkisë së Tiranës: “Në dallim nga Lulzim Basha, nuk pres 4 vjet që t’i mbaj premtimet”
Dua të bëj diferencën me Lulzim Bashën, i cili në mungesë të kurajës apo në mungesë të mbajtjes së premtimeve për t’i dalë zot punës, zakonisht nxjerr zëdhënësat në deklaratë. Sepse në dallim nga Luli, i cili është duke u marrë me tramvajin e vet imagjinar, unë gjykoj se duhet të merremi me gjëra reale.
Jam këtu për të folur për një premtim që e kanë bërë të dyja palët. Lulzim Basha ka premtuar se në Tiranë do të kishte qendra rinore, madje do të hapte 11 të tilla në të gjitha minibashkitë; do të bënte kartë rinore, kartë studentore, ku të rinjtë do të merrnin shërbime falas, por ashtu si tramvaji, kanë ngelur vetëm imagjinare.
Si ministër e Rinisë, duke qenë se kam bërë një premtim, mua më duhet ta mbaj premtimin tim sepse nuk dua të ndjek shembullin e Lulzim Bashës. Prandaj, vendosëm të shikojmë ku janë pronat shtetërore, të cilat u ishin dhënë privatëve duke dalë nga misioni i tyre. Një pronë e tillë publike, në pronësi të Republikës së Shqipërisë, ndodhej ngjitur me Dhomën e Tregtisë Tiranë. Kur e inspektuam, gjetëm një strip klub, ku vajzat shqiptare zhvisheshin në një tub alumini, për ahengun e gjithë gangsterëve të Tiranës. Ky nuk është modeli për femrën shqiptare, as për rininë shqiptare, ndaj kjo është arsyeja pse keni parë dje vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit për ta kthyer atë në një qendër rinore.
Ata që e kishin kthyer pronën e shtetit në strip klub kërkuan që të hiqnin të gjitha tubat e aluminit dhe reklamat, në mënyrë që në datën 27 janar, ditë kur KKT dha vendimin, të fillonim punimet. Nëse bashkia kërkonte leje, ja tek e ka. Nëse bashkia di t’i bëjë qendrat imagjinare rinore më mirë, kishte 4 vjet kohë për t’i bërë ato. Por, përdori pronat publike për t’i kthyer në strip klube. Këtu ka dy filozofi të ndryshme. Filozofia jonë është që t’i kthejmë kazinotë në zyra pune, strip klubet në qendra rinore, kurse filozofia e tyre është që të promovojmë të fortët e partisë dhe në pronat e shtetit të ngrejmë strip klube.
Por, pyetja që unë kam është: Ja tek e keni SHQUP-in, me çfarë leje ndërtimi u bënë të gjitha punimet në SHQUP? Ditët e fundit që ishin në pushtet, zaptuan një pronë publike dhe askush nuk bëri goren pse PD-ja po bënte punime sepse në një vend normal, askush nuk bën goren pse një ndërtesë po bëhet më e bukur. Fakti që policia bashkiake ka 4 ditë që ka bllokuar qendrën rinore është fabula më e mirë se çfarë ka ndodhur këto katër vite në Tiranë. Nuk u bë as tramvaji, as 11 qendrat rinore, as ulja e çmimit të bukës.
Unë, në dallim nga Lulzim Basha, nuk do të pres 4 vjet që t’i mbaj premtimet e mia. Premtuam pensionet, bëmë reformën e pensioneve. Thamë zyrat e punës, hapëm zyrat e punës. Por, ky është viti i dytë dhe ne duhet të fillojmë me qendrat rinore dhe po e bëjmë në një vend që ishte kuplara. Kryetari i Bashkisë del 1 herë në muaj në Bashki dhe 29 herë te SHQUP-i. Ai është një kryebashkiak që drejton gjithë ditën ndërtesën e SHQUP-it, ku ai ka ndërtuar pa leje, ndërkohë që ne e kemi një leje. Ai është i padukshëm për nevojat e qytetit, por dërgon një zëdhënës, sepse është një njeri që nuk i del dot zot qytetit. Nuk do të presim deri më 21 qershor për t’u justifikuar pse nuk po i bëjmë qendrat rinore, por do t’i fillojmë që sot.
KOHA JONË SONDAZH

