Veliaj i vendosur për Unazën e Madhe dhe rindërtimin tek “5 Maji”: Opozita bllokoi 3 vite qytetin
Projekti i Unazës së Madhe do të përfundojë dhe do të sjellë ulje të trafikut dhe lehtësim të qarkullimit në Tiranë. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se asnjë projekt në Tiranë nuk do të ndalet. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për realizimin e projekteve madhore për qytetin, ndërsa theksoi se Tirana nuk ka kohë për të humbur.
“Projekti i Unazës kalon nga sheshi “Shqiponja” në drejtim të Lumit të Tiranës, pastaj kalon Lumin në zonën e Laprakës dhe e ndjek përgjatë Paskuqanit, për t’u rikthyer tek zona e “5 Majit” – ku prapë kemi pasur konflikte të polizituara, mandej kalon në Tufinë dhe lidhet me Farkën. Shkoni pyesni sa është rritur vlera e tokës aty ku kalon gjurma e autostradës. S’ka asnjë dyshim që, sa të jetë Edi Rama kryeministër dhe kjo administratë e bashkisë në Tiranë, projektet nuk do të ndalen”, tha Veliaj.
Ai u ndal dhe tek protestat e opozitës si dhe tek lagjia “5 Maji” në kryeqytet. “Çfarë do të bëjmë me kohën e humbur? Tre vjet i humbëm te Astiri, kemi një vit që merremi me zonën e “5 majit”. Lagja te “5 maji” do të bëhet dhe kjo nuk diskutohet fare, as nga kërcënimet e çudirat që dëgjojmë sepse nuk ka gjë në botë që e ndal progresin.
Në mos ne, do të vijë një gjeneratë tjetër që do thotë: Tirana do të rritet, kush jeni ju që bllokoni autostradat dhe rrugët? Për të gjitha këto arsye, ftesa për të gjithë qytetarët që preken është: Për sa kohë që marrin kompensimin, për sa kohë që i marrin metrat katrorë një më një, politizimi i këtyre çështjeve me parti që vënë bast ta fitojnë zemrën dhe votat e qytetit duke bllokuar projektet, janë demode.
Po të kishte qenë strategji fituese do të kishin fituar ndonjëherë. Ai që urren për arsye politike forcën tonë, banon në një shtëpi që sot vlen më shumë se 7 vite më përpara”, nënvizoi Veliaj.