Veliaj inspektim në shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi”: Me mure rrethuese dhe terrene të reja sportive për fëmijët

Shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi” në Sauk po pajisen me terrene sportive dhe mure rrethuese për sigurinë e nxënësve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet në të dyja shkollat dhe e cilësoi ndërhyrjen e bashkisë si një lajm të mirë për banorët.

“Ka qenë një merak i yni sepse fëmijët shkonin në terrene sportive private, ndërsa as shkolla nuk kishte rrethimin e duhur e krejt papritur oborri kthehej në parkim makinash”, tha Veliaj.

Por, tani situata për këto dy shkolla po ndryshon.

“Sot kemi terrenet sportive, territori i shkollës është rrethuar, çka e bën të qartë se ky është një terren publik. Më vjen mirë që më në fund shteti ka marrë atë që është e vetja dhe kur them shteti, publiku, qyteti, lagjja jonë dhe nxënësit tanë, ndërkohë privati ka hapësirat e veta. Ndaj, vërtet tani ndihem mirë që nxënësve mund t’u themi dilni me 10-ta, shkolla është në kushte të jashtëzakonshme, kemi edhe terrenet sportive. Kam një ftesë edhe për komunitetin, që ta përdorim hapësirën pas orëve të mësimit, për t’u siguruar që i gjithë ky komunitet e shfrytëzon këtë pronë. Ftesa është për banorët dhe shoqatat sportive që t’i shfrytëzojmë edhe fushën e basketbollit, edhe të futbollit”, tha ai.

Kryebashkiaku ftoi komunitetin dhe shoqatat sportive të shfrytëzojnë këto hapësira pas orëve të mësimit, për të siguruar një përdorim maksimal të terreneve të reja të basketbollit dhe futbollit. Veliaj njoftoi se do të bëhen investime të tjera në Njësinë 2.

SHKARKO APP