Veliaj inspekton punën në gjimnazin “Besnik Sykja”: Shkolla po rindërtohet me kushte moderne, dy herë më e madhe
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal sot për një inspektim në gjimnazin “Besnik Sykja”, i cili po rikonstruktohet, duke u zgjeruar me hapësira të reja për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor.
Veliaj tha se shkolla do të jetë dy herë më e madhe, pasi është marrë parasysh edhe rritja e zonës.
“Besnik Sykja’ është një shkollë me 700 nxënës, por tani do ketë një godinë për mbi 1000 nxënës, me klasa më të mëdha, për të shmangur dyndjen. Ideja është që jo vetëm ta ndërtojmë shkollën më të bukur dhe më të forte, por edhe më të madhe, duke parashikuar se si do të rritet zona. Shkolla është bërë me idenë e një Tirane që rritet dhe një shkollë që ka sot ndoshta, më shumë hapësirë se ç’i duhet, por ama është e përgatitur për dy-tre dekadat e ardhshme. Më vjen mirë që shkolla, si të gjitha shkollat e reja, po bëhet jo vetëm estetikisht shumë herë më e këndshme, por ka edhe gjithë lehtësirat për nxënësit. Ky ka qenë një vit ku jemi marrë shumë me sportin, sidomos me sportin komunitar, por sidomos me përfshirjen e fëmijëve me aftësi ndryshe. Shkollat e reja janë me aksesueshmëri dhe ofrojnë të gjitha kushtet për të lehtësuar këta nxënës në të gjitha mjediset e saj”, tha Veliaj.
Me apo pa fushatë, tha kryebashkiaku, puna duhet të ecë me ritme të shpejta.