Veliaj: Investimet në Kombinat do të jenë këtu për 100 vitet e ardhshme

Buqetës së shkollave të reja në Kombinat do t’i shtohet edhe shkolla 9-vjeçare “Shyqyri Peza”, e cila po rikonstruktohet nga Bashkia e Tiranës. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se brenda vitit të ardhshëm shkolla do të jetë gati për të mirëpritur nxënësit në hapësira shumë herë më të mira se ato që kishte.

“Kombinati ka shkollat më të mira në Tiranë. E filluam me “Betim Muçon”, vazhduam me “Lasgush Poradecin”, mbaroi “Musine Kokalari”, mbaroi edhe “Myslym Keta”. Jam vërtet i privilegjuar që jam me një skuadër gocash, të cilat kanë marrë përsipër të ribëjnë shkollën “Shyqyri Peza”. Shumë mirënjohje prindërve për bashkëpunimin. Jam i bindur se me këtë përkushtim dhe afatet që kemi vënë, viti tjetër do ta gjejë shkollën “Shyqyri Peza” siç e meriton edhe kjo pjesë e Kombinatit”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se me ndërhyrjen e re, shkolla do të ketë një shtesë me 12 klasa më shumë, që do të përkthehet në klasa me më pak nxënës, duke rritur vëmendjen e mësuesit te fëmijët. Pas Kombinatit, Veliaj theksoi se ekipi i Bashkisë së Tiranës do të zhvendoset në zonën e Unazës së Madhe, ku do të nisin paralelisht 4 shkolla të reja.

“Po përgatitemi për një Kombinat që po rritet, pra nga 900 nxënës, shkojmë në 1200 nxënës, por edhe në klasa që kanë më pak nxënës. Do të thotë se numri i nxënësve për mësues është më i vogël dhe vëmendja e mësuesit për nxënësin është më e madhe. Me këtë histori kemi mbyllur të gjithë kapitullin e shkollave në Kombinat dhe mund të zhvendosemi në një zonë tjetër, si zona e Unazës së Madhe, aty ku do të fillojmë ndërtimin e 4 shkollave të reja. Jam vërtet entuziast që gjithë kjo zonë, që deri dje quhej periferi, sot po merr investime shumë më cilësore sesa në qendër. Kështu, i lëmë një pajë Kombinatit me 5 shkolla të reja, kopshte e çerdhe, që do jenë këtu për 100 vitet ardhshme”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj theksoi se nuk punohet për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme, duke mundësuar ambiente jo vetëm për shkollim, por edhe për argëtim në komunitet. Ndërhyrja për ndërtimin e shkollës “Shyqyri Peza” përfshin shtimin e kapacitetit të saj. Projekti parashikon një shtesë të re me tre kate, duke bërë të mundur shtimin e klasave, gjë që do të krijojë hapësira për të zhvilluar mësimin vetëm me një turn. Gjithashtu, po punohet edhe për ndërtimin e një godine të re për palestër pranë terreneve të hapura sportive, e cila do të ketë lidhje funksionale me ambientet e shkollës.

SHKARKO APP