Veliaj: Ja sesi do të jetë Tirana ime

Në daljen e tij të parë publike si kryetar i sapozgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Veliaj ka evidentuar se tri sfidat e para të tij janë: pastrimi i Tiranës, transporti publik dhe administrimi i bashkisë. Lidhur me pastrimin, ai nuk përjashtoi mundësinë që gjatë muajve të verës të kërkojë dhe ndihmën e ushtrisë për të normalizuar qytetin. Në lidhje me ndarjen e pushtetit në drejtimin e bashkisë, ai ka bërë të ditur se mund të ketë 3 ose 4 nënkryetarë, ndërsa ka theksuar se akti i parë që do bëjë si kryebashkiak do jetë emërimi i 24 administratorëve të njësive që e përbëjnë Tiranën e re.

Kur nuk i ke të zgjidhura problemet e përditshme, pakkush mendon për një vizion për zhvillimin e Tiranës, për uljen e ndotjes, ambientet sportive apo çështje të tjera që duket si luks kur i mendon…

Sot, këto historitë e shekujve më parë, si trami, njerëzit i kanë kthyer në barcaleta prej vitesh. Unë besoj që, minimalisht, fushata duhet të respektojë inteligjencën mesatare të popullatës. Dhe, për sa kohë inteligjenca popullore e popullatës nuk gënjehet më me gjëra të tilla, atëherë politika ka për detyrë që të ofrojë zgjidhje konkrete. Ndaj ne zgjodhëm që të bëjmë një politikë që nuk fyen inteligjencën e askujt, por të flisnim për gjëra konkrete që i shqetësojnë të gjithë njerëzit. Kjo nuk do të thotë që qyteti nuk do ketë projekte të mëdha, se patjetër bulevardi i ri duhet të vazhdojë me propozimin tonë, të një bulevardi që shoqërohet me një park qendror, që patjetër që liqeni i Kasharit duhet të jetë një valvul e re çlodhjeje por edhe shkarkimi i stresit të Tiranës dhe një mushkri e dytë krahas Parkut të Liqenit. Sigurisht që ne do vazhdojmë të respektojmë moratoriumin e qeverisë për ndërtimet, paçka se ka shumë veta që janë mërzitur prej kësaj historie.

Moratoriumi vazhdon…

Kemi pasur disa skizma të bashkisë së Tiranës, të cilat ne po i kontestojmë në gjyq, por detyra e çdo bashkie është që të aplikojë moratoriumin e qeverisë për sa kohë që sot Tirana është 25-fishi i territorit që kishte para këtyre zgjedhjeve. Dhe, meqenëse ka 25-fishin e territorit, ne nuk mund të themi që kemi një plan për të ndërtuar pallate brenda asaj vije të famshme të verdhë. Kështu që neve na duhet një plan që merr parasysh gjithë këtë Tiranë, dhe një plan jo vetëm ku do të ndërtojmë pallate, por edhe ku do të kemi kapanone, ku do punohet dhe ku do kemi zona të lira ekonomike, edhe ku do zhvillojmë bujqësinë. Dhe një plan i mirëfilltë zhvillimi nuk është vetëm ai plan mediokër vetëm ku do jepen vetëm leje ndërtimi, por nënkupton edhe gjithë aktivitetin ekonomik dhe social të Tiranës. Ndaj jam shumë i ndërgjegjshëm për sfidën që kam përpara dhe s’mund ti lejojmë vetes asnjë eufori. Sigurisht që i jemi mirënjohës për ata që na votuan dhe jemi të vëmendshëm për të gjithë ata që nuk na votuan. Ndaj dhe besojmë që kjo politikë me këmbë në tokë, do jetë edhe politika e duhur për të administruar mirë Tiranën.

Nuk pashë një festë të madhe në Tiranë nga mbështetësit dhe stafet tuaja si në qytete të tjera. Nuk pati as fishekzjarrë as makina me flamuj…

Njerëzit janë lodhur me një politikë që shet mend e krekoset. Kështu që besoj që një politikë me këmbë në tokë ndoshta është ajo që i duhet qytetit, sidomos një qytet që nuk jeton ditët e veta më të mira, besoj që ishte përgjigja e duhur.

Cilat janë tri emergjencat e para me të cilat ju do përballeni deri në shtator? Mund të na jepni një ide apo element më tepër rreth tezës së auditimit të bashkisë?

Ka një procedurë ligjore. Çdo bashki është një njësi më vete dhe është e pavarur nga rezultati final i të gjitha bashkive. Varet nga rezultati i Këshillit Bashkiak se kryetari i bashkisë betohet para këshillit. Besoj se gjërat do të ecin shpejt meqenëse numërimi në Tiranë ka ecur mirë dhe nëse nuk do ketë kontestime, besoj që brenda korrikut duhet të kemi Këshillin. Kryetari i vjetër i Këshillit Bashkiak duhet të mbledhë këshillin e ri. Besoj se për herë të parë ne do kemi 2/3-ën e këshillit, pra një shumicë të cilësuar në Këshill Bashkiak edhe për të marrë disa vendime të rëndësishme që më parë kanë qenë pengesë. Fitorja nuk është qëllim në vetvete, por është mjeti me të cilin ne duam të bëjmë ndryshimin. Dhe besoj që edhe këshilli bashkiak do transformohet në një mjet që më parë nuk ka qenë aq shumë në dispozicion të kryetarit të bashkisë, ose nuk ka qenë ndonjë kryetar bashkie aq fatlum sa të ketë 2/3-ën e këshillit bashkiak.

Besoj se janë tri prioritete që ne kemi identifikuar: E para është çështja e pastrimit. Sot është zyrtarisht qyteti më i ndotur, jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në gjithë rajonin. Ndaj dhe e shoh që pjesën më të madhe të verës do jetë një mobilizim. Me shumë gjasa në bashkëpunim edhe me ministren Kodheli, do ketë një mobilizim të ushtrisë, se Tirana është sot e nakatosur me pirgje plehrash. Gjykoj që kemi një emergjencë civile për sa i përket pastrimit në Tiranë dhe me këtë sy do të kalojmë edhe energjinë dhe forcat tona gjatë kësaj vere.

Transporti publik është një çështje që duhet adresuar menjëherë. Jemi në periudhën kur kanë mbaruar kontratat e transportit publik. Ndërkohë që na rezulton që Bashkia i rilidh ato duke pasur parasysh bashkinë e vogël. Kjo nuk mund të vazhdojë më me këtë formë. Bashkia sot është shumë e madhe dhe ne do të kemi linja të transportit publik në gjithë territorin për të evituar këtë kaos.

Sfida e tretë është një sfidë tjetër që është kryesisht administrative. Pra, neve na duhet që në kohë rekord, prandaj thashë që pushimet e verës janë ideale, na duhet të integrojmë në një administratë të përbashkët, në një buxhet të përbashkët dhe me një ndërmarrje të përbashkët, shumë prej shërbimeve që deri dje ofroheshin të fragmentarizuara.

Pra kërkohet një rishikim i buxhetit aktual?

Absolutisht po. Ajo që kam kërkuar dhe që u kam thënë apriori kandidatëve për këshillin bashkiak, është mos planifikojnë pushime vere se këshilli bashkiak duhet të mblidhet disa herë gjatë verës për të ecur më shpejt për gjërat. Për çështjen e auditit, si ish-ministër i kabinetit ajo që zbuluam kur morëm detyrën është se situata nuk ishte ashtu siç mendonim, por shumë më keq. Ndaj besoj se një audit i mirëfilltë do ta tregojë këtë në bashkinë e Tiranës dhe në komunat e tjera. Më rezulton që kemi pasur kontrata që vetëm në një pagesë minimale janë lidhur sa për të kapur kontratat, ndërkohë që detyrimi për të paguar duhet të jetë nga Bashkia e re. Auditi është gjithashtu një mënyrë për të kuptuar si janë shpenzuar paratë e publikut. Besoj që qytetarët duhet të përgatiten, e di që pritshmëritë janë shumë të larta dhe ndaj tentuam që të flisnim për gjërat konkrete dhe praktike dhe jo të fluturonim, por besoj që viti i parë do jetë një vit i vështirë për qytetin.

Do auditoni vetëm bashkinë apo edhe komunat?

Do auditojmë të gjitha njësitë. Mënyra më transparente do jetë që auditi t’i prekë të gjitha njësoj.

Auditi që ju bëtë në ministri solli si pasojë dërgimin për ndjekjen penale të ish-ministrit Ksera…

 

Të jemi të qartë, ajo që bëra në ministri është se janë 4 zyrtarë të lartë të ministrisë që sot janë duke shërbyer në burg. Një është në kërkim, ish-shefi i kabinetit. Ndërkohë që më rezulton që gjatë kohës që kam qenë ministër për 18 muaj, janë mbi 50 zyrtarë, që sot o janë dënuar penalisht dhe kanë gjobë ose arrest shtëpie, ose janë në proces gjyqësor, ose janë dënuar me burg. Dhe për sa kohë kam një rekord ku nga zyrtarët më të lartë të ministrisë deri tek ai që i fut dorën në xhep pensionistes në një fshat janë vënë para drejtësisë, nuk kam ndërmend të ndryshoj në Bashkinë e Tiranës. Besoj se kemi qenë të pamëshirshëm- në kuptimin e mirë të fjalës- në respektim të ligjit dhe ku çdo qytetar të ndihet i respektuar.

Si do arrini t’i realizoni këto, pasi buxheti i bashkisë nuk mjafton?

Dua të sjell një shembull. Sot me parkimet që ka Bashkia mbledh vetëm 5 për qind të biletave. Vetëm po të mblidhej i gjithë ky fond do kishte 2 milionë dollarë të ardhura në vit. Në kaq pak sa ka, imagjino po t’i kishte të gjitha rrugët me parkime të kontrolluara. Taksa imobiliare që përmenda është po ashtu vetëm 3% e të ardhurave të bashkisë. Që është një taksë qesharake që u mblidhet kryesisht bizneseve…

Ju thatë që taksimi për parkimet…. Ju keni reaguar kundër kur Bashkia donte t’i jepte me koncesion…

Nuk po flasim për koncesionet. Unë besoj që me këshillin bashkiak do kemi mundësi që të rishohim shumë gjëra.

Por çfarë mendoni ju për projektin që ishte?

Dua ta shoh dhe kam refuzuar edhe në fushatë që të flas si ekspert i midhjes dhe i peshkut.

Pra, ju mendoni se duhet të futet në mënyrë kapilare pagesa për parkimin?

Do ta shoh dhe do të vendosim. Për ta përfunduar këtë ilustrim për gjendjen financiare që ka Bashkia, do thosha se çështja e imobiliareve sërish mbledhja është 3 për qind. Nuk bëhet fjalë për ta rritur, aq sa është, por ta paguajnë të gjithë. Si e majtë, e vetmja gjë që mund të bëjmë është që të krijojmë një taksim progresiv. Pra nuk mund të paguajë njësoj taksë dikush që e ka imobiliaren, një që e ka në Kinostudio dhe një që e ka në Bllok. Besoj që e para që ne duhet të realizojmë këtë plan të bashkisë në qind për qind dhe pastaj të fillojmë të ankohemi pse nuk marrim para nga qeveria. Pra të realizojmë një herë ambicien tonë pse nuk marrim të ardhura. Sot në fakt një nga preokupimet e mia kryesore është stafi im i ri i financës dhe buxhetit të bashkisë që duhet të performojë të paktën 3 herë më mirë se ai aktual. E dyta, të gjejmë burime alternative financiare. Një prej tyre sigurisht janë kreditë. Kreditë e bashkisë merren me kushtin që qeveria të ofrojë atë që quhet garanci sovrane. Janë disa grante ose disa kredi fare-fare të buta, siç është ajo që qeveria ka negociuar me qeverinë japoneze për çështjen e ujësjellës-kanalizimeve të Tiranës. Bashkia duhet të jetë vendi i parë ku ne eksperimentojmë atë që quhet bono thesari ose bonot e qytetit. Bonot e qytetit të jenë të konvertueshme si letra me vlerë, ku qyteti emeton dhe ka fuqinë emetuese. Kështu që planifikojmë edhe të takohem me Guvernatorin e Shqipërisë për të parë se cilat kanë qenë praktikat më të mira të qyteteve që kanë funksionuar në këtë mënyrë për të rritur çështjen e të ardhurave. Dhe e treta është të forcojmë partneritetin publik-privat. Bashkia ka disa asete, ka prona që mund t’i vërë në përdorim, por kur vjen puna për të ndërtuar pika grumbullimi për bujqësinë, kur vjen puna te çështjet e transportit publik apo te çështjet e parkingjeve, Bashkia mund të futet si pjesë aksionere, pra të ketë një pjesë të të ardhurave, por si koncesionar apo partner me një privat.

Kush do jetë zëvendësi i kryetarit të Bashkisë?

Duke qenë se Bashkia është rritur në territor, nënkryetarët e Bashkisë duhet të reflektojnë edhe madhësinë e territorit por edhe diferencën që kemi mes zonës urbane dhe rurale. Ndaj Bashkia do ketë 3 ose 4 nënkryetarë që duhet të ndjekin… Mënyra sesi funksionon kryetari ka si kompetencë të emërojë që me fillimin e detyrës 24 administratorë. Kjo për të qetësuar qytetarët që shërbimet do të ofrohen aty ku janë aktualisht.

Nënkryetarët mund të jenë 3 apo 4, por ti do e kesh një krah të djathtë, që e ke në kompetencë për ta zgjedhur vetë. E ke në mendje?

Po, e kam.

Nuk do ta thuash?

Jo

Kush do jetë akti i parë i jot si kryetar bashkie?

Akti i parë do jetë emërimi i 24 administratorëve.

LSI do marrë pjesën e saj të pushtetit?

Kemi fituar si koalicion dhe do të administrojmë për sa i përket atyre që janë emërime politike si koalicion. Dhe besoj se formula e suksesit ishte bashkëpunimi mes aleatëve. Besoj se ekzistojnë formula ku nuk sakrifikohet kompetenca për hir të diversitetit.

Po paralajmëroni një transferim të stafit nga ministria drejt ministrisë?

Jo, nuk thashë këtë. Por ashtu siç bëra në ministri, unë besoj që sot që, përveç çështjes së kompensimit është bërë sfidë shumë e bukur të punosh në shtet. Gjithmonë kam kërkuar më të mirë dhe do bëj çmos që të vijnë më të mirët në Bashkinë e Tiranës. Në bashki janë identifikuar personat që s’kanë të bëjnë fare me administrimin, ndaj s’mund të më kërkoni që t’i mbaj në krah.

Ç’do bëhet me lejet e ndërtimit dhe me Piramidën dhe godinën e Hotel Dajtit?

Do të ketë një kontroll të lejeve të kontestuara. Nuk kishte asgjë të paqartë në polemikën me Ministrinë e Kulturës. Instituti ishte pyetur para disa muajsh dhe në atë moment nuk ishte Monument Kulture, por u bë kur u ribë harta. Ata kishin përdorur një shkresë të vjetër të parinovuar. U shfrytëzua një letër e vjetër për të siguruar një leje. Këto leje nuk do të vazhdojnë më. Auditi që do të bëjmë do të tregojë që kemi anomali në të gjitha këto leje. Do hetohen të gjitha lejet dhe për herë të parë Bashkia do jetë palë me qeverinë për t’i bllokuar këto leje. Nuk lidhet reputacioni i bashkisë me një bashki që vetëm jep leje ndërtimi. Gropat janë hapur, por ashtu siç hapen edhe mbyllen, s’është problem. Sot leja e Digës është pezulluar, jo vetëm punimet, ndërsa te pjesa tjetër duket që leja është dhënë mbi një dokument të rremë.

Piramida dhe Hotel Dajti do të jenë pjesë e një projekti që do të quhet ‘Parku i Besimit’. Do të kemi një konkurs ndërkombëtar për këtë, ku ideja e kryeministrit ka qenë që Shqipëria duhet të përfitojë nga turizmi fetar, si një vend që ka një harmoni fetare që u reklamua më shumë nga vizita e Papës. Piramida do të transformohet tërësisht, kemi arritur në një ide që është moderne për Piramidën

Për trafikun, çfarë ke ndonjë gjë të madhe që mund ta thuash?

Ta nisim një herë nga Unaza e Vogël, e cila ka mbetur për një segment që quhet segmenti i pallatit të INSIG-ut. Kemi një plan zgjidhje për atë edhe për mënyrën si do bëjmë shpronësimin aty. Unaza e Vogël do të bëhet. Nëse ajo nuk bëhet është e kotë që ne të premtojmë sheshin kryesor “Skënderbej”. Pa Unazën e vogël ku të kalojë trafiku nuk mund të bllokojmë prapë sheshin. Besoj se jeni dakord që sheshi kryesor i Tiranës nuk mund të jetë ajo govata me bar që është bërë aty. Prandaj propozimi ynë është që të ruajmë rendin e gjërave, fillimisht zgjidhim trafikun me Unazën e vogël dhe pastaj fillojmë një projekt të ri për qytetin. Sa i përket çështjes së unazave të tjera. Edhe 19 shpronësime që kanë mbetur për lidhjen e “Komunës së Parisit” me ‘Qytetin e Nxënësve’, e cila shkarkon gjithë atë trafik të tmerrshëm në “Komunën e Parisit”.

Çfarë do bëhet për të rritur performancën e Policisë Bashkiake, pasi ajo aktualisht nuk ka asnjë mjet në dorë, madje as armë? Do rishikohen kompetenca?

Besoj që vlejnë të dyja argumentet edhe se ne duhet të rrisim performancën e Policisë Bashkiake por edhe kompetencat. Ne kemi filluar një diskutim për këtë.

Tani që fushata mbaroi realisht, çfarë përshtypje patët për Halim Kosovën?

Kam përshtypjen dhe respekt maksimal, sidomos për faktin që bëri një përpjekje shumë të sinqertë për t’u ndarë nga politika zyrtare e PD-së. Por në fakt ky ishte dhe problemi, pra kishim një fushatë të doktor Halim Kosovës që distancohej nga gjuha e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës dhe familjeve, dhe asaj fizike që u përfshinë në fushatë. U nda nga gjuha e ndotur e politikës që helmatis çdo debat nga goditjet nën brez dhe nga marrja me familjet e të tjerëve. Fushata jonë refuzoi ta bënte këtë. Ne besonim që kërkesa jonë për të ftuar në debat kandidatët ishte sfidë e mjaftueshme. Ne kuptuam që jemi në shesh për opinionin publik për të debatuar dhe konkuruar me njëri-tjetrin dhe jo me gratë dhe nënat e kandidatëve. Për këtë meriton respekt pasi bëri diferencë nga partia e tij.

A mendoni se çfarë reagimi do të keni në lejen e parë, se ju do jepni leje ndërtimi në Tiranë, mendoni se çfarë vëmendje dhe çfarë fokusi do jeni kur të merrni vendimin për të dhënë lejen e ndërtimit?

Së pari ne kemi një moratorium. Sigurisht, Tirana do duhet të ketë fillimisht një plan të ri zhvillimi. Nuk mund të japim dot leje ndërtimi me këtë plan që kemi tani. Së dyti nuk duhet të ndalojmë se një leje ndërtimi quhet dhe një pallat ndërtimi dhe ajo që ka të bëjë me një shtëpi qerpiçi që duhet të restaurohet. Prandaj them që leje ndërtimi patjetër do ketë, por është ndryshe një leje për dikë që po rehabiliton shtëpinë e vet dhe ndryshe për pallatet si te Diga e Liqenit. Leje ndërtimi pallatesh nuk do shikojmë më.

Duhet të shqetësohen qytetarët e Tiranës, zoti Veliaj, që edhe ju një ditë do e lini këtë post për të qenë kryetar partie?

S’e kam atë ambicie dhe jam shumë i lumtur dhe shumë i përulur që do i shërbej qytetit tim në vitet e ardhshme. Marrë me shkurtime nga Top Story

 

SHKARKO APP