Veliaj jep certifikatat e pronësisë për familjet e “5 Majit”: I vendosur t’i çoj punët deri në fund!

Në një realitet të transformuar krejtësisht, siç është lagjia e re e “5 Majit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikatat e pronësisë për familjet e prekura nga tërmeti i 2019, të cilët kanë hyrë prej disa kohësh në shtëpitë e tyre të reja. Me infrastrukturë moderne, akses në shërbime cilësore publike e private dhe me parqe e mjedise sportive, për kryebashkiakun Veliaj, transformimi i kësaj zone është dëshmi e punës së përbashkët.

Sipas tij, koha e harxhuar me përçarje, ndasi politike e sherre, është kohë e çuar dëm. Veliaj apeloi që fokusi duhet të jetë puna dhe e mira e përbashkët.

“Kjo tregon çfarë fuqie kanë njerëzit kur bashkëpunojnë dhe kur i shtrohen punës për të transformuar jetët e njerëzve. Ja ku jemi sot: pallatet janë të vërteta, njerëzit janë të vërtetë dhe certifikatat e pronësisë janë të vërteta. Unë nuk besoj që shteti është i majtë ose i djathtë, unë besoj se shteti është në shërbim të njerëzve. Ky është shteti ynë, kjo është qeveria jonë, kjo është bashkia jonë, këto janë punëtorët tanë, kjo është administrata jonë. Shteti është i shqiptarëve dhe Tirana është e shqiptarëve.

Kryebashkiaku theksoi vendosmërinë e tij për të çuar përpara projektet transformuese të Tiranës. “Jam më i vendosur se kurrë që ta mbaroj “5 Majin”, Kombinatin, të mbarojë Bulevardi i Ri, të bëhet Kopshti Botanik, të bëjmë shkollat e reja te Astiri. Kur të shkruhet historia e këtij qyteti, asnjë nuk do t’i mbajë mend bllokuesit. Nuk do të ketë asnjë faqe, asnjë rresht, asnjë germë në historinë e Tiranës për ata që na bllokuan, do harrohen”, deklaroi ai.

Veliaj shtoi se shpërndarja e certifikatave të pronësisë mund të kishte ndodhur dy-tre vjet më parë, por bllokimi i punës e bëri të pamundur.

 

SHKARKO APP