Veliaj: Kemi mbaruar gjysmën e punimeve te “5 Maji”. Kush i nxit banorët kundër, bën politikë me viktima
Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë 8, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal edhe në një prej debateve të fundit, siç është rindërtimi i lagjes së re “5 Maji”. Pasi njoftoi se aty është kryer gjysma e punës, Veliaj shtoi se politika, e cila futet mes qeverisë dhe banorëve, e bën këtë sepse u intereson bllokimi dhe jo mirëqenia e siguria fizike e banorëve.
“Kur ra tërmeti i parë, i shtatorit, këta kundërshtarët tanë që thonë sot “lërini të rrinë aty” (në pallatet e dëmtuara), ulërinin dhe thoshin: “Pse nuk i hoqët në kohë, që mos t’i zinte tërmeti i dytë?” Sot po të njëjtët njerëz thonë: “Pse nuk i lini aty?”. Në thelb kërkojnë viktima sepse thonë po nuk patëm viktima, nuk bëjmë dot politikë. Se nuk e kuptojnë dot që ti mund të bësh politikë duke punuar. Por, jeta nuk është kështu.
Ne kemi pasur vështirësi shumë të mëdha në komunizëm, por nuk kemi qenë kështu me njëri-tjetrin, s’i jemi gëzuar viktimave dhe nuk i kemi përdorur për politikë. Këta janë të njëjtët njerëz që thonë “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, “pse i le aty, pse s’i nxore nga aty?”, “çfarë uji i dhe gomarit, të ftohtë, apo të ngrohtë”. Ne këtu s’jemi as për të ftohur, as për të ngrohur gomarin e askujt. Ne jemi këtu për të ndërtuar qytetin tonë, për t’u kujdesur për familjet tona, për të mbajtur premtimet tona dhe për të ecur përpara me Tiranën tonë”, tha Veliaj.
Ai shtoi se askush nuk duhet të krijojë iluzionin se për 2-3 vota, të gënjehet për pallatet e dëmtuara nga tërmeti.