Veliaj: Kemi transformuar 100 kopshte e çerdhe, sukses i përbashkët me BE dhe PNUD-in

Bashkia e Tiranës, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian dhe PNUD-it, ndërtuan kopshtin 41 në Njësinë 2, i cili do të presë rreth 200 fëmijë të zonës. Ky është kopshti dhe çerdhja e 100, të transformuara në qytetin e Tiranës. Në përurimin e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se ky investim i vjen në ndihmë të gjithë komunitetit, ndërsa falenderoi donatorët PNUD-in dhe BE-në për mbështetjen.

Është një punë, që na mori kohë, por sot po ia shohim frytet. Dua të falenderoj ata që na e mundësuan këtë, kolegët e PNUD-it dhe BE-së, sepse jo gjithmonë ia dalim vetëm, jo gjithmonë i kemi të gjitha mundësitë financiare. Por, siç thotë ajo shprehja: ‘Duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë’. Faleminderit që u bëtë pjesë e ‘fshatit’ tonë, për këtë histori të përbashkët suksesi. Në këtë njësi kemi mbaruar shkollën “Bashkim Fino”, Kopshtin 18 dhe shkollën “Mihal Grameno”, ndaj ju falenderoj që ishit pjesë e skuadrës sonë”, tha ai.

Veliaj shtoi se, 8 vite më parë, shumë pak vetë e besonin këtë punë transformuese. “Në vitin 2015 e nisëm punën nga kopshtet dhe çerdhet. Shumë njerëz ishin kritikë me mua, thoshin: ‘Ç’na duhet ky muhabet kalamajsh?!’ Se e gjithë puna serioze e politikës ishte reduktuar në kënde lojërash, çerdhe e kopshte. Një tjetër tha: ‘Fëmijët as votojnë, as paguajnë taksa, pse bën ‘luftë’ për një kënd lojrash? Më kujtohet ‘lufta’ me deputetët dhe presidentin e asaj kohe për këndin e lojërave tek Liqeni. Përgjigja ime përpara 8 vitesh është njësoj edhe sot: Fëmijët mund të jenë 1/3 e popullsisë, por janë 100% e së ardhmes sonë. Në qoftë se nuk e bëjmë këtë betejë, jo për 1/3 e popullsisë, jo për votues, jo për taksapagues, por për 100% të së ardhmes së këtij vendi, atëherë nuk ia vlen më asnjë betejë tjetër në këtë vend. Sot ia ka vlejtur që i bëmë këto beteja! Ky është kopshti dhe çerdhja e 100-të ku kemi vënë dorë në këto 8 vjet”, theksoi ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se gjatë ndërtimit të shkollave, kopshteve dhe çerdheve të reja, ka pasur edhe probleme të hasura në terren, si në rastet kur oborret e tyre ishin uzurpuar nga kioskat. “Ka qenë shumë e vështirë t’ua shpjegoje kolegëve të PNUD-it dhe BE-së se pse te shkolla “Emin Duraku”, palestra e shkollës është me të njëjtin mur që e ka ndërtuar privati. Disa njerëz ndërtuan në oborre shkollash dhe një ndër problemet që kemi pasur me lejet është sepse një pjesë e madhe e territorit, për arsye politike dhe militantësh, u janë dhënë njerëzve privatë për kontribut partiak në territor të shkollës. Ne nuk ia shpjegojmë dot Komisionit Evropian dhe PNUD-it se si te shkolla në Vaqarr duhej të futeshe fillimisht te klubi, që ishte ndërtuar në hyrje të shkollës, të merrje avujt e rakisë së mëngjesit me vete, e pastaj të hyje në shkollë. Nuk e kupton dot një donator që na duhet dy vjet të zhbëjmë atë që ndoshta u prish për dy ditë sepse duhet ta shpronësosh, sepse ai tani ka marrë hipotekë dhe e ka legalizuar”, deklaroi ai.

Sipas tij, ndërtimi i shkollave të reja dhe çlirimi i oborreve, ka vendosur në vend padrejtësitë e bëra ndër vite. “Nëse nuk reflektojmë njësoj edhe mbi gjërat që kemi bërë gabim në vite, atëherë nuk kemi shpresë që këta fëmijë do të bëhen më të mirë. Shpresa që këta fëmijë do të bëhen më të mirë është nëse ne, gjenerata e sotme, i rregullon këto padrejtësi. Sot me këtë kopësht, me shkollën “Besnik Sykja” që presim të hapim, me shkollat që po bëjmë me kolegët e PNUD-it dhe BE-së, shkolla e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, që ishte një tjetër shkollë e zaptuar, nuk bëjmë vetëm një ndërtesë me llaç e tulla, rivendosim në vend një padrejtësi”, deklaroi Veliaj.

SHKARKO APP