Veliaj krah Yuri Kim në koncert: E turpshme që ka ende njerëz që flasin me gjuhën e Enverit, kundër Amerikës

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se është turp që në 2022 ka ende njerëz që flasin me gjuhën e Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga sheshi “Skënderbej”, ku bashkë me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, ndoqi koncertin e bandës frymore të ushtrisë amerikane, Veliaj theksoi se shqiptarët nuk kanë lidhje me atë pakicë të zhurmshme që përpiqet të zgjidhë hallet e veta, duke krijuar debate të pavlefshme me Amerikën.

“Vitin e fundit është kthyer në modë, se kush ka ndonjë problem në politikë, fillon e shan Amerikën; kush ka ndonjë problem me veten e tij, shan një nga fondacionet tona. Kush ka një problem me jetën e tij, që ka dilemat e jetës së vet, mundohet ta gjejë fajin tek dikush tjetër. Së pari, mua më vjen turp që mes nesh ka ende njerëz që, në vitin 2022, janë gati të flasin me gjuhën e Enver Hoxhës kundër Amerikës.

Më vjen turp që në 2022, në një qytet të hapur me 1 milionë banorë, ka njerëz që duan të bëjnë karrierë duke sharë Amerikën. Ne jemi më të mirë se kaq, ne jemi më të virtytshëm se kaq, ne jemi më mirënjohës se kaq. Raca jonë është shumë herë më e mirë sesa një pakicë e zhurmshme, që mundohet të zgjidhin hallet e tyre duke na krijuar debate të pavlefshme me Amerikën”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se shqiptarët i janë mirënjohës SHBA për ndihmën që i kanë dhënë vendit tonë. Ai nënvizoi se sot shqiptarët jetojnë në një vend të lirë, kjo edhe falë miqësisë shumë të veçantë me SHBA-të.

SHKARKO APP