Veliaj: Kur kandidati i LSI-së e di që nuk fiton, mund t’i bëjë edhe avionët, edhe trenat falas
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë se mundësia për ta bërë transportin falas në kryeqytet është diskutuar më herët me ekspertë gjermanë dhe ish drejtorin e Transportit Publik në Londër, por sipas tyre kjo ide nuk do të funksiononte.
“Është mëse normale që kur një kandidat e di që nuk do të fitojë, mund t’i bëjë edhe avionët falas, edhe trenat falas. Ne e kishim një tram imagjinar në Tiranë. Transporti publik falas është një projekt që e kemi pasur prej vitesh në diskutim, me specialistët gjermanë dhe me ish-drejtuesin e Transportit Publik në Londër, pra jemi konsultuar me të më mirët. Por, sot kemi një situatë ku kosto që do të duhej është midis 94 dhe 114 milionë euro. I bie që Bashkia e Tiranës, në tre vitet ardhshme, të mos bëjë asnjë punë: asnjë kopsht, asnjë çerdhe, asnjë rrugë, asnjë park, asnjë pemë, asnjë varrezë, asnjë investim publik, për diçka që në fakt është provuar shkencërisht që nuk funksionon”, tha Veliaj për ”Top News”.
Kreu i Bashkisë u shpreh se propozimi i bërë nga kandidati i LSI i ngjan premtimit të Lulzim Bashës për tramin imagjinar në Kryeqytet. “Ju kujtoj se në qytetin e Prishtinës bileta e autobusit është 50 euro/cent, megjithatë me buzën në gaz i mirëkuptoj ata njerëz që, nga dëshpërimi i sondazheve, thonë çfarë të munden, siç ndodhi me tramin dhe gjëra të tjera që janë të parealizueshme, sepse e kuptoj, janë në sikletin e tyre. Nuk dua të paragjykoj kandidatin e LSI në këtë rast, do i dëgjoj të gjithë, por unë besoj se sot, qyteti i Tiranës përbëhet në mazhorancë nga njerëz të pjekur e të arsyeshëm. Më thoni, kush nuk do donte që çdo gjë të ishte falas. Por ne e provuam atë sistem dhe kur kjo vjen nga kandidatë të LSI, që vijnë nga e djathta, bëhet një mish-mash ideologjik, se ti nuk e kupton më, se ata nuk kanë as të djathtë, as bindje, as ideologji, as filozofi, por nga halli do të duhet të thonë disa çudira që askush nuk i beson. Për të gjithë ata që ishin në Tiranë, kur u bë muhabeti i tramit, kanë kuptuar se duhet të kemi biseda serioze, për çështje serioze dhe të realizueshme. Unë nuk e kam luksin të them çudira, sepse do më duhet ta qeveris Tiranën edhe në datën 15 maj”, deklaroi Veliaj.