Veliaj: Landfilli i Sharrës një hapësirë të gjelbër. Berisha dhe Meta donin ta jepnin shërbimin me 37 euro për ton
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të arritjeve 5 vjeçare, si dhe planit strategjik të pastrimit të qytetit, shprehu mirënjohjen e tij për gjithë ekipin e pastrimit të Tiranës që kontribuojnë çdo ditë për ta bërë kryeqytetin më të pastër. Ai foli edhe për landfillin e Sharrës, për të cilin tha se dikur ishte hapësirë e degraduar, që i ngjante një hani pa porta, ndërsa tani është shndërruar në një hapësirë të gjelbër.
“Disa prej jush që keni jetuar në Tiranë, e mbani mend si ishte landfilli i Sharrës: një hapësirë e shpartalluar, si një han pa porta, një vend ku mjafton të shohësh fotot – mund të futej kushdo, nga të gjitha drejtimet. Secili kishte një hesap të vetin, secili kishte thesin e tij, secili kishte një mini-biznes të vetin. Kush e ka shtëpinë në Kombinat, por sidomos kush e ka shtëpinë në zonën e Astirit dhe rreth asaj periferie të Tiranës, nga Selita deri në Sharrë, e mandej në Vaqarr, në Lalm, e mban mend atë renë e verdhë veshtullore, që varej nëpër Tiranë, e cila nisej nga Sharra e pastaj në varësi të erës, shkonte e helmonte gjithë Tiranën. Sot e kemi harruar atë renë kancerogjene, për shkak të së cilës nuk e shihje dot qiellin blu në Tiranë. Sot mund të shohësh qiellin blu dhe mund të themi me plot gojën, se në Sharrë ai sistem ndotës, djegës, helmues dhe kancerogjen për qytetin, është një përrallë nga e kaluara. Duke filluar nga Sharra dhe kudo tjetër, Tirana është disa herë më e pastër”, tha kryebashkiaku.
Veliaj nënvizoi se Sali Berisha dhe Ilir Meta e kishin Tiranën dhe e lanë atë të mbytur në borxhe. “Nëse një projekt ka një problem, atëherë duhet të merremi me problemin, jo të anulojmë gjithë projektin. Fjala vjen: Në qoftë se një punonjës këtu bën një gabim, ushtron dhunë, atëherë duhet të trajtojmë atë person, që ka bërë këtë gabim. Ne nuk mund të themi do mbyllet gjithë Eco Tirana sepse një nga shoferët kishte konsumuar alkool. Ti trajton atë problem, ti nuk shkrin gjithë kompaninë. E njëjta gjë vlen edhe për landfillin e Sharrës.
Kush ka bërë gabime, le të mbajë përgjegjësi, por nuk do të thotë se do të ndalojmë së pastruari Tiranën, së grumbulluari plehrat e Tiranës dhe do ndalojmë projektin tonë për një Tiranë xixë, sepse dikush ka bërë një gabim. Kush ka bërë gabim, të mbajë përgjegjësi, por Tirana do pastrohet dhe plehrat do depozitohen. Kur kam ardhur në Bashkinë e Tiranës, përveç se gjeta faturën 60 % me borxhe, gjeta edhe një propozim të atyre që sot kundërshtojnë Bashkinë e Tiranës dhe thonë: ‘Na jepni edhe një shans tjetër’.
Ne Ilirit dhe Saliut ia dhamë një shans, nga 2011 deri në 2015. Përveç se na e lanë faturën me 60% borxhe, na lanë edhe një propozim që plehrat në Sharrë të menaxhoheshin me 37 euro për ton. Sot plehrat, Bashkia e Tiranës, me një kontratë shërbimi, jo investimi, i mbledh në gjithë territorin e Tiranës, i çon deri tek trau në Sharrë. Aty peshohen dhe këtë shërbim e bëjmë me 29 euro për ton, jo me 37”, sqaroi Veliaj.