Veliaj mban premtimin, ndahen 242 banesat sociale
Bashkia e Tiranës ka shpërndarë sot 242 banesat sociale për familjet në nevojë duke përmbushur kështu dhe një nga premtimet elektorale të kryebashkiakut, Erion Veliaj. Vendimi është miratuar sot nga Këshilli i Bashkisë së Tiranës. Në fjalën e tij para këshilltarëve, Veliaj ka shprehur kënaqësinë e tij që brenda një kohe të shkurtër arriti që të mbaj një premtim elektoral, për të shpërndarë banesat që ishin bllokuar prej disa vitesh nga administrata e bashkisë së shkuar. “Sot ka ardhur dita ti japim fund kësaj historie. Kishte 4 vite kohë administrata e mëparshme për ti ndarë dhe kjo nuk ndodhi. Unë e kam pasur përparësi ta zgjidhja në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak. Ndaj dhe unë besoj ta kalojmë, pasi ndoshta është për turpin tonë që të vijmë në këtë vendim me kaq vonesë, por sikurse i thonë asaj shprehjes më mirë vonë se kurrë”, – tha Veliaj në fjalën e tij.
Më tej ai sqaroi se nga lista e familjeve që ishin përcaktuar si fituese nga bashkia e mëparshme janë hequr 8 familje të cilat nuk plotësonin kërkesat ligjore, si dhe janë shtuar 40 familje të tjera që kanë kohët e fundit dhe që plotësonin kriteret për të qenë përfituese. Duke replikuar me përfaqësuesit e opozitës në Këshill, Veliaj ka theksuar se 6 nga familjet e shtuara në listën e përfituesve janë familje rome që dy vite më parë u hodhën në rrugë nga bashkia e mëparshme, te Pallati me Shigjeta. Ndërkohë që një nga familjet që ka përfituar nga vendimi i sot i Këshillit Bashkiak për ndarjen e banesave sociale, është edhe ajo e këngëtarit të mirënjohur të skenës shqiptare, Tonin Tërshana. Emri i Tërshanës është përfshirë në listën e përfituesve nga Bashkia pasi ai plotësonte kërkesat e ligjit për tu trajtuar me banesë sociale.
Në fjalën e tij para Këshillit, Veliaj bëri të ditur gjithashtu se janë dhe 140 apartamente të tjera që do të shpërndahen dhe që në rastin më të parë që do të plotësohen kushtet do t’i prezantohen këshillit bashkiak për vendimmarrje.