Veliaj me mësuesit dhe nxënësit në gjimnazin e rindërtuar “Sami Frashëri”: Shkollën e përurojmë këtë vit në shtator
“Sami Frashëri”, një prej shkollave ikonike të Tiranës, në 60-vjetorin e saj do të jetë gati të presë ceremoninë e diplomimit për maturantët e këtij viti në godinën e re, të rindërtuar pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Së bashku me nxënës, mësues dhe drejtues të kësaj shkolle, që pritet të rinisë zyrtarisht procesin mësimor në shtator, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi ecurinë e punës për ringritjen e godinës, e cila është edhe më e bukur se në renderat 3D.
“Kush kishte dyshime, kush u var tek kangjellat për të politizuar edhe ndërtimin e “Samiut”, sigurisht sot duhet ta shohë këtë kryevepër, që ka dalë edhe më bukur se sa në render. Premtimi ynë, në këtë 60-vjetor të shkollës “Sami Frashëri” është se ceremoninë e diplomimit do ta bëjmë në godinën e re, kurse shkolla zyrtarisht hapet në shtator, me vitin e ri mësimor. Jam shumë i lumtur si kanë ecur punimet dhe realisht do të jetë një bizhu, jo vetëm në trupin e Tiranës, por edhe në stofin e arsimit në Shqipëri”,-tha Veliaj.
Duke u nisur edhe nga prania e stafit mësimor, Veliaj hodhi idenë e kujtimit të brezave të “samistëve”. “Me drejtoreshën po mendojmë krijimin e një klubi të ‘alumnive’ që janë diplomuar te “Samiu”, madje me këto ambiente, mund të bëjmë edhe një zonë muzeale. Besoj unë e bëra pjesën time për shkollën, por do duhet që secili që ka mësuar te “Samiu”, nëse mundet, të japë një dorë. Nëse mendojmë gjëra të ndryshme politikisht, të paktën të mos na pengojë”.
Po ashtu Veliaj vuri në dukje edhe lehtësitë e mobilitetit që ofron infrastruktura rrugore, çka nxit edhe më tepër përdorimin e biçikletave. “E gjithë “Rruga e Barrikadave” është duke u transformuar. Shikoni skeleri dhe punë që po bëhen kudo. Kemi një shkollë 9-vjeçare pak më poshtë, kemi korsitë e biçikletave. Nuk vihet me makinë 4×4 te “Rruga e Barrikadave”. Kjo rrugë që në atë kohë shërbente vërtet për barrikada, tani duhet të ketë më shumë akses për përdoruesit e biçikletave. Mbaj mend se në vitet ’90 i gjithë oborri i “Samiut” kishte një parkim biçikletash, sepse ishte më normale të vije në shkollë me biçikletë”.
Shkolla e re “Sami Frashëri” është projektuar për të përmbushur kërkesën për një kapacitet prej 1500 nxënësish, përmes 50 klasave, secila me 30 nxënës. Godina e re është organizuar në 4 kate duke krijuar disa ambiente ku përveç klasave mësimore do të vendosen edhe laboratorë, palestra, biblioteka, terrene sportive, etj.
Të gjitha transparente dhe të ndriçuara nga drita natyrale që mundëson kontaktin e studentëve me gjelbërimin dhe natyrën. Përveç projektit arkitektonik, shumë rëndësi i është dhënë dhe projektit të hapësirës së jashtme, konceptuar si dhoma të hapura në brendësi të shkollës dhe të lidhura me një seri itineraresh që ftojnë për aktivitetet rekreative.