Veliaj me mësuesit e shkollave: Debati për të ardhurit që bëjnë kandidatët e opozites, është racist

Tirana është qyteti i mundësive dhe askush nuk ka të drejtë t’i thotë një prindi të mos ia japë këtë mundësi fëmijës së tij. Në vijim të aktiviteteve per Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, nga palestra e shkollës se saporindertuar “Sami Frashëri”, ku u takua me drejtorët dhe mësuesit e shkollave të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se kryeqyteti do të vijojë të rritet, për sa kohë ofron kushtet që ëndërron të ketë çdo familje.

“Ashtu si një mësues, nuk zgjedh dot në klasë dhe t’i thotë gjysmës së nxënësve për ju nuk ka vend, edhe një kryetar Bashkie nuk mund të thotë “u mbush qyteti, ju të tjerët duhet të ktheheni””,-tha Veliaj. Sipas tij, është fakt që sot në Tiranë janë regjistruar 700 mijë votues.

”Për sa kohë Tirana vazhdon të jetë plani kryesor i një prindi, që do të çojë fëmijën në një shkollë të mirë, në një universitet të mirë, të gjejë një punë të mirë, ta çojë te qyteti që është edhe Kryeqyteti Europian i Rinisë, edhe i Sportit, ku ka dhe Opera, ku ka edhe balet, ku është cilësia e shërbimeve më e madhe, atëherë kush jemi ne të gjykojmë? Ata femije duhet të kenë të njëjtin shans si gjithë të tjerët”,-nënvizoi Veliaj. Ai tha se opozita duhet të heqë dorë nga deklaratat raciste, se të ardhurit nuk kanë vend në Tiranë.

“Apeli im edhe për kolegët që kandidojnë në fushatë është eja debatojmë gjithçka, jam gati të flas për gjithçka, por jo këtë muhabetin racist kush është i ardhur dhe kush është “den baba den”. Është viti 2023. Për një kryeqytet që njihet si Kryeqytet Europian i Rinisë, ku në Tiranë vetëm italianë jetojnë 20-25 mijë vetë, kjo është një temë e viteve ’90. Temat e kohëve të sotme janë kodimi, blockchain, metaverse, janë kriptomonedhat, janë realitetet virtuale, jane gjuhët moderne të punëve të së ardhmes, që do na vijnë përmes teknologjisë. Në momentin që ne i kthehemi muhabeteve të viteve ‘90 i kujt je ti, i kujt jam unë, kush erdhi këtu i pari, realisht degradon në banalitet”,-tha Veliaj.

SHKARKO APP