Veliaj me personalitetet e Njësisë 2: Më jeni bërë krah për të punuar edhe më fort
“Do të doja që Tirana të njihet si qytet mirënjohës”, ishin fjalët e kryebashkiakut Erion Veliaj në përfundim të takimeve në Njësinë 2, ku zhvilloi një bisedë të ngrohtë me personalitetet që jetojnë dhe banojnë prej vitesh në këtë zonë. Emra të njohur për komunitetin e Njësisë 2, si Arjan Shtylla, Shaban Xhebraimi, Arben Derhemi, Nedin Hoxha, Vllasova Musta etj, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer aty ku banojnë, u nderuar edhe me një certifikatë mirënjohje nga kryebashkiaku Veliaj.
Në përmbyllje të turit në këtë njësi, Veliaj dhe deputeti i PS, Arben Pëllumbi, thanë se Tirana është mirënjohëse për këdo që kontribuon për qytetin.
“Doja ta mbyllja vrapin tim në këtë njësi me një moment reflektimi, ku i themi njëri-tjetrit faleminderit, jam krenar për ty, bravo të qoftë, na ke frymëzuar! Për një qytet si Tirana që vetëm rritet, duhet të kuptojmë se nuk jemi ne të vetmit që kemi shtruar rrugët me asfalt apo kemi vënë tulla, sepse për qytetin kanë kontribuar shumë njerëz, dikush në art, në kulturë, në filantropi, në mjekësi, e në shumë punë të tjera të mëdha.
Kjo është arsyeja përse jemi mbledhur sepse dua që Tirana të njihet si qytet i njerëzishëm, si qytet mirënjohës që i respekton njerëzit. Në qoftë se ky do ishte i vetmi përkufizim që dikush do mbante mend nga Tirana, do ia ketë vlejtur. Jam shumë krenar për ju, jam shumë mirënjohës që më jeni bërë krah në disa momente të vështira të qytetit.
Një pjesë prej jush më çoni mesazhe në orët e vona të natës, për të më thënë: “Mos u dorëzo, mos u tërhiq, mos e lër punën përgjysmë”. Ju ndoshta nuk e dini, por unë e di se çfarë efekti keni pasur në jetën time”, u shpreh Veliaj.