Veliaj: Meta dhe Berisha jashtë realitetit, jetojnë në vilat e tyre te Gjiri i Lalzit
Kryetarin i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj e cilësoi Ilir Metën dhe partinë e tij si kancerin e PD-së në këto zgjedhje. Në një intervistë me Euronews, Veliaj deklaroi se forca politike e drejtuar nga Ilir Meta qartazi funksionon si një tumor në trupin e çdo lloj partie politike duke i sjellë humbje.
“Ne në betejën me doktorin e nderuar Halim Kosova, me LSI brenda ishin 43 mijë vota përpara. Pa LSI vajtëm rreth 60 mijë vota përpara. Në Këshillat Bashkiak me LSI ishim 23 mandate, pa LSI shkuam 33 mandate. Qartazi që LSI funksionon si një tumor në trupin e çdo lloj partie politike, si një lloj linfomi, një lloj kancerome që po t’u fut në trup të shpërbën komplet sepse nuk ka elektorat, abuzon me këto lojërat e kulisave. Unë e ndava eksperiencën tonë të hidhur. Ne bëmë një kimioterapi të pastrimit të trupit nga ajo organizatë tumorale. Qartazi pala tjetër mendoj që fitoj diçka duke futur tumorin në shtëpi. Ekziston ajo që quhet në politikë, fenomeni i thithëlopës, ku dhe lopa dhe thithëlopa ka qumësht. Çështja është që lopa e prodhon vetë, kurse thithëlopa than gjinjtë e lopës. Në këtë sens Partia Demokratike sot është me gjinj të tharë nga një qumësht që e piu të gjithë LSI-ja. Po të shikosh rezultatet e Këshillave Bashkiak janë 2 demokratë dhe 13 ushtarë të Ilir Metës”, tha Veliaj.