Veliaj mund Bashën në njësinë 8
Batuta e tij gjatë fushatës zgjedhore se në Tiranë do të fitonte 24-0 duket se po bëhet realitet edhe pas numërimit të mbi 300 kutive të votimit në kryeqytet. Erion Veliaj, kandidat i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, udhëheq bindshëm aktualisht në të 24 njësitë administrative të kryeqytetit, qoftë në 11 njësitë bashkiake në Tiranë, qoftë në 13 zonat e tjera në fshat.
Të dhënat tregojnë se Veliaj ka kaluar në avantazh të thellë ndaj Halim Kosovës, madje edhe në njësinë 8, një zonë e cila është nën mbikëqyrjen e deputetes së PD, Jorida Tabaku, e ku aktualisht banon Lulzim Basha. Madje, njësia 8 konsiderohet si një nga bastionet e Partisë Demokratike, ku historikisht PD ka fituar me mbi 2 mijë vota kundrejt PS. Një rezultat që tregon se Veliaj është mbështetur edhe nga vetë të djathtët tradicionalë, ose siç njihen ndryshe “tironsit e vjetër”.
Por, domethënia më e madhe e rezultatit 24-0 në Tiranë, veçanërisht në njësinë 8, është fakti se qytetarët e kanë refuzuar ashpër gjuhën e shpifjeve të Bashës dhe Tabakut kundrejt Veliajt gjatë fushatës, çka me sa duket u është kthyer në një votë bumerang kundër.