Veliaj: Na duhet ndihma e të gjithëve, duhet ta kursejmë energjinë elektrike dhe ujin
Nevoja për ta ruajtur dhe kursyer ujin ishte tema e aktivitetit “Qyteza e Ujit”, e zhvilluar me fëmijë dhe të rinj në Parkun Olimpik të Tiranës. Përmes aktiviteteve të ndryshme, përfshirë lojërat, konkursin e esesë më të bukur, këndin e pikturave etj., fëmijët mësuan mbi rëndësinë që ka uji, sidomos kursimi i tij.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e shfrytëzoi këtë takim për të sjellë në vëmendjen e të gjithëve rëndësinë e kursimit të ujit, sidomos në një kohë të vështirë si kjo, ku lufta në Ukrainë dhe agresioni rus atje, kanë sjellë rritjen e çmimit të energjisë dhe shumë produkteve të tjera.
“Të rriturit, por jam i sigurt se edhe të vegjlit, e kanë parë që po zhvillohet një luftë në Ukrainë. Prej asaj lufte, në të gjithë Europën, është rritur çmimi i energjisë; fushat e lulediellit që nuk punohen më atje, kanë rritur çmimin e vajit; fushat që prodhonin shumë grurë, tani që ka luftë, është rritur çmimi i grurit. Edhe çmimi i ujit preket sepse uji, në pjesën më të madhe pompohet me energji elektrike. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur, si Bashki e Tiranës, që të mos e rrisim çmimin e ujit për prindërit tuaj, por të sigurohemi që bashkia e përballon vetë rritjen e kostos së energjisë elektrike dhe pompimit, që asnjë familje e qytetit të Tiranës të mos e ndiejë këtë krizë të çmimeve. Që ta përballojmë të gjithë bashkë, si një familje e madhe”, tha Veliaj.