Veliaj në Dajt: Nëse më zgjidhni mua, asnjë leje ndërtimi që betonizon Tiranën
Kandidati i PS për Tiranën, Erjon Veliaj ka prezantuar këtë të enjte programin e tij për zonën e Dajtit, që sipas tij është lënë në harresë në këto 4 vjet. – “Ne nuk harrojmë se çfarë u bë me Tiranën në këto 4 vjet”, ka thënë Veliaj, i cili ka premtuar se do t’u kushtojë rëndësi atyre çfarë ofron zona e Dajtit, si turizmi apo ajri i pastër malor.
Më tej, duke shprehur besimin se fitorja e së majtës do të jetë më e thellë se ç'thonë sondazhet, ai ka thënë: “SHQUP-i le të merret me familjet tona, ne punojmë për qytetarët”.
Ndërsa duke folur për lejet e ndërtimit në disa nga zonat më të njohura të kryeqytetit, Veliaj ka nënvizuar se, nëse zgjidhet kryetar bashkie nuk do të japë asnjë leje ndërtimi që betonizon Tiranën.
“Sa të jem unë kryetar bashkie nuk do të ketë leje ndërtimi në zonën e Don Boskos. Gjithashtu, çdo komuniteti, mysliman apo i krishter, më 21 qershor i largohet kërcënimi i betonit. As tek diga e liqenit nuk do të ketë më leje ndërtimi. Do të marrin fund persekutimet”, ka shtuar Veliaj.