Veliaj: Me idetë inovative të të rinjve Tirana dhe kryeqytetet e Ballkanit mund të bëhen si Tel Avivi
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte pjesë e Forumit Rajonal për Bizneset Sociale (RISE), një takim i organizuar me të rinj nga Ballkani Perëndimor. Veliaj tha se bashkëpunimi dhe fryma e bashkimit të të rinjve në rajon duhet të jetë shembull për të gjithë.
“Fqinjët janë shumë të rëndësishëm, ndaj mos i merrni për të mirëqenë. Miqësia është si një tullë në një mur shumë të madh, të cilin ne po mundohemi ta ndërtojmë në Ballkan. Komunikimi mes të rinjve dhe shkëmbimi i ideve mes tyre është një mënyrë për të njohur njëri-tjetrin dhe për të krijuar start up-e, si një potencial për të ngritur më shumë biznese që menaxhohen nga të rinjtë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se me punë dhe organizim të mirë, Tirana, Beogradi, Prishtina, Shkupi, Podgorica, apo Sarajeva mund të bëhen Tel Avivi i Ballkanit.