Veliaj në garë për një mandat të tretë në Bashkinë e Tiranës, Gjiknuri: Ka punuar shkëlqyer në Tiranë
Pas marrjes së besimit nga Kryesia e PS-së për të drejtuar socialistët e Tiranës, Erion Veliaj do të jetë edhe kandidati i PS-së për një mandat të tretë në krye të Bashkisë në zgjedhjet e 2023.
Nga shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi” ku ishte bashkë me kryebashkiakun Veliaj dhe deputetet Kodheli dhe Gjylameti, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri tha se nuk ka dilema se kush do garojë pasi Erioni e ka demostruar me vepra konkrete punën e tij.
“Përballë kemi zgjedhjet vendore. Ne e kemi kandidatin tonë dhe këtu kemi fat. Pse? Ne fillojmë që tani punojmë për të ditën e zgjedhjeve. Ne nuk kemi dilema se kush do na drejtojë. Pse? Ka shumë evidenca. Kemi shembull konkret pune, Erioni e ka bërë punën e tij, e ka demostruar me vepra. Kjo shkolla këtu është vepër konkrete që flet për punën që ka bërë dhe kjo duhet të na motivojë të gjithë partinë e Tiranës dhe prandaj ky proces, vlen sidomos në këtë kohë, për të motivuar të gjithë anëtarët e PS-së. Jo thjesht për fitoren se unë këtë nuk e vë në diskutim në Tiranë. Mandati i tretë ka sfida të reja, partia kërkon ide të reja, idetë e reja mund të vijnë dhe me të njëjtë njerëz, por e rëndësishme është të lexosh realitetin dhe suksesi i PS për mendimim tim është që gjithmonë di të lexojë realitetin, kthen kokën pas, përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme” – tha Gjiknuri.