Veliaj në Njësinë 4: Bregu i Lumit e 5 Maji sot portë hyrëse e Tiranës moderne

Turi i drejtuesit socialist të Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj, u ndal në Njësinë 4 në kryeqytet, ku pasi zhvilloi një ecje për të takuar qytetarë dhe biznese të ndryshme të zonës, mori pjesë edhe në mbjelljen e 15 pemëve, si vijim i fushatës së gjelbër.

Kemi takuar njerëz gjithë rrugës dhe në çdo stacion, ose ishte dikush që ishte administrator pallati dhe tha: “Me këtë sistemin e ri na është bërë më mirë”, ose ishte dikush që kishte hapur një biznes të ri dhe po i shtohej puna, se kanë ardhur edhe banorët e rinj tek “5 Maji”. Ishte një bekim i madh se ti kupton që ne i kemi lidhur fijet me njëri-tjetrin. Ai që quhet stofi, apo xhinsi siç thonë tironsit, në thelb kjo është. E vetmja vërejtje që kam pasur gjithë rrugës me njerëzit është një xhep i vogël këtu, do të thotë që është zgjidhur një pjesë shumë e madhe e gjërave,” tha Veliaj.

“Kur thoshin njerëzit e kam shtëpinë tek “5 Maji”, apo Bregu i Lumit, konsiderohej fundi i botës. Tani kjo do bëhet porta e re e Tiranës. Plani tjetër është që të bëhet ura këtej, të lidhen edhe me Kamzën e Paskuqanin. Në anën tjetër kalon autostrada dhe krejt papritur, siç është bërë Farka e lidhur me autostradë dhe i ka rritur vlerën, autostrada që kalon këtu do ta kthejë këtë zonë, jo në cepin dhe fundin e Tiranës, por në fillimin dhe hyrjen e Tiranës,” u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, ai tha se puna nuk ka mbaruar dhe pikërisht për t’i vazhduar ato në një mandat të tretë Partia Socialiste kërkon votën e qytetarëve të Tiranës.

E di që jo të gjitha punët kanë mbaruar. Unë besoj se pikërisht pse kemi ende punë për të bërë duam, që të përveshim mëngët e të ecim përpara. Kryeministri na ka lënë një porosi, që ne nuk do mbjellim sherr në këtë fushatë. Ne nuk jemi këtu se kemi inat të tjerët. Ne jemi këtu se duam njëri-tjetrin, familjet, çunat, gocat, komunitetin. Për këtë dashuri dhe këtë pasion kemi vendosur më mirë të mbjellim pemë dhe të gjithë atyre që merren me mirëmbajtje dhe pastrim mos t’u lëmë as postera, as banderola, as rraqe e shkarravina, që në fund fare, qyteti do ketë pemë dhe për ata që ndoshta nuk i mendojnë gjerat si ne, të paktën do thonë këtyre kundërshtarëve tanë edhe fushata u pati duk, se mbollën gjelbërim, ajër të pastër e oksigjen,” deklaroi në fund Veliaj.

SHKARKO APP