Veliaj në shkollën e re “Bedri Llagami” në Vaqarr: Zaptimi i hapësirave publike ka marrë fund

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet për ndërtimin e shkollës së re “Bedri Llagami” në Vaqarr, e cila do të mirëpresë 600 nxënës me kushte më të mira për ta. Gjatë inspektimit, Veliaj tha se në zonën e Vaqarrit po investohet çdo ditë e më shumë.

Sot është një ditë shumë e mirë për Vaqarrin! Jemi në fund të punës për shkollën e re “Bedri Lllagami” – një shkollë e bashkuar me parashkollorin, 9-vjeçaren dhe shkollën e mesme – me të cilën zgjidhim përfundimisht hallin e komunitetit. Fillimisht strehuam njerëzit e prekur nga tërmeti, tani po ndërtojmë shkollën, dhe hapi i tretë janë institucionet vendore”, tha Veliaj.

Ai kishte një thirrje për këdo që zapton hapësirat publike.

Të zaptosh oborrin e shkollës ku mblidhen fëmijët është turp. Por, si çdo punë tjetër e bashkisë, ku jemi mësuar me bllokime e gjyqe nga politika, edhe këtu kemi pasur vonesa. Është mëkat që nuk e përfundojmë dot ende hyrjen e shkollës sepse jemi në gjyq me dikë që ka ndërtuar lokal brenda territorit të shkollës. Ky nuk është një vend pa zot! Nuk besoj se ka gjyqtarë që vazhdojnë të lejojnë legalizime në varreza dhe në oborr të shkollës. Thirrja për qytetarin që ka zaptuar shkollën për të bërë lokal është e thjeshtë: Largohu pa hyrë forca e ligjit! Nuk bëhet fjalë për një nevojtar apo një njeri që është pa shtëpi. Bëhet fjalë për një njeri që, për 30 e ca vite, në këtë rrumpallën e tranzicionit, fitoi para në oborr të shkollës. Çdo gjë ka një limit. Tani që shkolla bëhet e re, nuk mund të kthehemi te zakonet e vjetra”, tha Veliaj.

SHKARKO APP