Veliaj në takimin përmbyllës në Dajt: “Ashtu si në 2013, çdo votë ka rëndësi sepse çdo votë do të sjellë fitoren tonë”

 

Nga Erion Veliaj.

Dua të përshëndes ata që kanë ardhur larg nga Zall-bastari, nga Zall-Herri, nga Shën-Gjergji, dhe një përshëndetje të madhe për të zotët e shtëpisë, nga Qesaraka dhe gjithë komuna e Dajtit. Faleminderit shumë që jeni këtu sot. Ky ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm! Ky muaj ka qenë një nga muajt më të bukur të jetës time dhe unë ju falënderoj me gjithë zemër që e bëtë kaq të bukur, që i dhatë energji, që i dhatë forcë fushatës tonë, për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur.

Miqtë e mi, kemi pritur 4 vjet që të kishim mundësinë për të fituar bindshëm në Tiranë. Pritja po mbaron, po vjen ora e fitores. Edhe 7 ditë që Tirana, Dajti, Zallbastari, Shëngjergji, Qesaraka e Zall-Herri të shkojnë në drejtimin e duhur. Ka disa njerëz që thonë se zgjedhjet nuk kanë ndonjë rëndësi, që mendojnë se zgjedhjet nuk janë aq të dobishme. Unë ju them se siç e pamë në 2013, çdo votë ka rëndësi, se çdo votë solli fitoren tonë. Në këto zgjedhje ne nuk votojmë për orekset e një partie ose një tjetre. Në këto zgjedhje votojmë për temat që janë pjesë e bisedave në çdo familje. Në çdo familje diskutohet në cilën shkollë do i çojmë fëmijët, në cilin kopësht, në cilën çerdhe, në cilat rrugë do ecim, kur do mblidhen plehrat, kur do shtrohen rrugët, kur do kemi mundësi që të rilindim qytetin tonë. Lajmi i mirë është se kemi edhe 7 ditë që t’i japim fuqi votës tonë dhe me atë fuqi ta kthejmë Tiranën në drejtimin e duhur. Tirana nuk do një kryetar bashkie që fle gjumë, Tirana nuk do një bashki që fle gjumë, Tirana nuk do punonjës që gërrhasin, Tirana ka nevojë për punë.

Miqtë e mi, me këto zgjedhje për herë të parë nuk kemi ndarjen qytet dhe fshat, por Zall-Bastari, Shëngjergji, Dajti, Zall-Herri janë lagje të bashkisë së madhe të Tiranës. Angazhimi ynë është që t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve njësoj, nëse jetojnë në Shën-Gjergj apo në Zallbastar, nëse jetojnë në Dajt ose në Zall-Herr, nëse jetojnë në Kombinat apo në Kinostudio, nëse jetojnë në Bllok ose në periferi, Bashkia e Tiranës do t’u shërbejë të gjithëve njësoj. Miqtë e mi, unë jam në këtë garë bashkë me Xhemalin, me Sajmirin, me Milenën, me dhjetra aktivistë, me qindra vullnetar, me mijëra banorë, për një arsye: Që ta kthejmë qytetin në shërbim të qytetarëve. Tirana ka 4 vjet që fle gjumë. Pasi vodhën zgjedhjet e 2011 e trajtuan Tiranën si plaçkë, e vodhën si plaçkë, e keqtrajtuan si plaçkë, prandaj është koha që ta zgjojmë dhe ta trajtojmë si zonjë, ta çojmë në drejtimin e duhur, t’i shërbejmë njëri-tjetrit, t’ i shërbejmë Tiranës.

Miqtë e mi, në këto zgjedhje ne nuk votojmë për sherret e partive, në këto zgjedhje votojmë për të gjithë ata prindër që janë të shqetësuar për klasat e mbingarkuara, që fëmijët po ulen nga 3-4 veta në një bangë. Në këto zgjedhje po shkojmë për gjithë fermerët që kemi takuar këto ditë në Shëngjergj, Zallbastar, Zall-herr, në Dajt. Fermerë që thonë se kanë nevojë për një kanal vaditës, për një kanal kullues, që të funksionoj rezervuari, që produktet e mia të shiten në treg, që të respektohem kur vij në Tiranë, jo të shtyhem, që policia bashkiake të mos kërkojë rryshfet, jo të poshtërohem. Ne shkojmë në zgjedhje për gjithë djemtë dhe vajzat e këtyre komunave, të cilat shërbejnë në hotelet dhe resortet të cilat kanë nevojë për më shumë punë, kanë nevojë të kenë më shumë turizëm, që Bashkia të punojë me ata që promovojnë turizmin.

Në këto zgjedhje ne shkojmë për të gjitha ato nëna që çojnë fëmijët në çerdhe apo në kopshte që janë pa ngrohje. Për këto gjëra do të vendosim në këto zgjedhje, që të kemi ngrohje në çdo çerdhe, kopshte dhe shkolla. Në këto zgjedhje shkojmë për të gjithë ata familjarë, të cilët nuk duan që qyteti ynë të jetë i pistë. Tirana ka 4 vjet që nuk pastrohet, 4 vjet që janë bërë plehrat mullar, 4 vjet që ujërat e zeza përzihen me ujërat e bardha, 4 vjet që shërbehet ushqim njeriu aty ku kalon miu, buzë çdo pusete dhe buzë çdo kanali. Ne shkojmë në këto zgjedhje që ta pastrojmë Tiranën, që t’i ndriçojmë rrugët, që t’i ngrohim shkollat.

 

Miqtë e mi, kemi edhe 7 ditë kohë! Në këto ditë Dajti, Zall-Herri, Shëngjergji, Zallbastari na kanë dhënë shumë dashuri, na kanë dhënë shumë karajo, na kanë dhënë fuqi. Për respekt të këtyre njerëzve dhe atyre që duan një bashki që t’u shërbejë, e kemi detyrim historik që të fitojmë dhe do të fitojmë bindshëm. Për herë të parë, 13 komuna bashkohen me Tiranën dhe bëhen lagje të reja të Tiranës. Ndaj është e rëndësishme që në këto 13 komuna ne të fitojmë 13 me 0. Për herë të parë 13 komuna bashkohen me 11 minibashki. Në total 24 njësi vendore. Do të fitojmë 24 me 0 dhe do të shërbejmë 24 orë në ditë.

Miqtë e mi, unë kam nevojë për ndihmën tuaj, që në 7 ditët që kanë mbetur të trokisni në çdo derë, kam nevojë që të shtërngoni çdo dorë, kam nevojë që të përqafoni çdo njeri, që të ftoni gjithë Dajtin, Qesarakën, Shëngjergjin, Zallbastarin, Zall-Herrin, të dalë për votime, të fitojmë e të punojmë, t’i shërbejmë qytetit tonë. Për të gjithë ata që u ndjenë të zhgënjyer përpara 4 vitesh kur Tirana u vodh, që u fyen kur Tirana u vodh, që u mërzitën kur Tirana u vodh nga ajo padrejtësi, kamnjë lajm të mirë: Erdhi koha jonë, erdhi momenti ynë dhe ashtu si Shqipëria që sapo fitoi 1 me 0, ashtu edhe Tirana do të fitojë 24 me 0. Kaçe vërtet bëri një gol spektakolar, por ishte i gjithë ekipi ai që bëri diferencën.

Miqtë e mi, ne jemi si kombëtarja e Shqipërisë! Vërtet një njeri kandidon, por për fitoren kontribuon i gjithë ekipi. Sajmir Tahiri është ekipi im, Xhemal Qefaliaj është ekipi im, Hazbiu është ekipi im, e gjithë skuadra në Dajt është ekipi ynë, e gjithë skuadra në Qesarakë është ekipi ynë, i gjithë ekipi në Zallbastar është ekipi ynë, i gjithë ekipi në Zall-Herr është ekipi ynë, Milena Harito është ekipi ynë, këshilltarët tanë nga i gjithë koalicioni, janë ekipi ynë. Ne funksionojmë si ekip. Kjo është arsyeja pse PS është bashkë me LSI-në, me PDIU, me FRD-në, se ne fitojmë si ekip. Ndaj miqtë e mij, nën shëmbullin e kombëtares tonë, është e rëndësishme që të gjithë t’i ftojmë të jenë pjesë e  ekipit tonë.

 

Unë jam në këtë garë bashkë me ju, që jeni ekipi ynë, për të mos i ndarë njerëzit, por për t’i bashkuar ata, për të mos i përçarë njerëzit, por për t’i shërbyer atyre. Nuk ka diferencë mes të majtëve dhe të djathtëve kur duan shërbime nga bashkia. Nuk ka diferencë mes një prindi të majtë dhe një prindi të djathtë, të dy duan një shkollë me ngrohje. Nuk ka diferencë mes një nëne të majtë dhe një nëne të djathtë. Të dyja duan që qyteti të mos ketë puseta të hapura. Nuk ka diferencë mes një gjyshi të majtë dhe një gjyshi të djathtë, të dy duan që të kenë trotuare ku të ecin si njerëz, të kenë një shesh pushimi, të kenë një lulishte ku të çlodhen.

Miqtë e mi, nuk ka diferencë mes një familje të majtë dhe një familje të djathtë, sepse edhe ato duan që tregu të ketë higjenë, duan që kafshët e rrugës të mos kafshojnë fëmijët, duan që rrugët të ndriçohen, që qyteti të pastrohet, gropat të mbushen. Miqtë e mi, nuk ka dallim në të majtë dhe në të djathtë kur duam ta kthejmë Tiranën në drejtimin e duhur, ndaj ftojini të gjithë, ftojini edhe ata që nuk janë pjesë e koalicionit tonë, sepse vetëm në ekip, kur jemi të gjithë bashkë, vetëm atëherë mund të fitojmë.

Kemi edhe 7 ditë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur. Dua të ftoj këtu të gjithë ekipin tonë dhe nëse programi ynë ju bindi, atëherë ngrini dorën për fitoren tonë. Ngrini dorën që do jeni në votime, që do të votojmë dhe të gjithë bashkë do ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur. Dua të jepni një duartrokitje për skuadrën tonë të Dajtit, të Zallbastarit, të Zall-Herrit, të Shëngjergjit. Ky është ekipi ynë, ju jeni skuadra jonë. Bashkë do të fitojmë bindshëm, për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur.

SHKARKO APP