Veliaj në Toronto: Krenarë për diasporën shqiptare, janë shembull i suksesit kudo

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej dy ditësh po zhvillon një vizitë zyrtare në Kanada, u prit nga komuniteti shqiptar që jeton e punon prej vitesh në Toronto. Në një bashkëbisedim me ta, Veliaj vlerësoi faktin se sot diaspora shqiptare ka shembuj të pafundmë suksesi dhe i falenderoi ata për mikpritjen. Kryebashkiaku shtoi se komunitetin shqiptar që jeton jashtë vendit është gjithmonë burim frymëzimi.

“Teksa dilja nga godina e Bashkisë së Tiranës për t’u nisur drejt Kanadasë, pashë pafund turistë dhe thashë me vete: ‘Sa rrugë e progres bëjmë ne shqiptarët kur punojmë, kur s’pengojmë njëri-tjetrin, kur e inkurajojmë njëri-tjetrin, kur përveshim mëngët dhe kur s’merremi me cic-micet e vogla’. Nëse ekosistemi është i tillë që nxjerr më të mirën tënde dhe jo më të ligën tënde, që nxjerr aspiratën tënde më të bukur dhe jo inatin tënd më të ulët, atëherë besoj se ndryshimi i ekosistemit bën diferencën dhe në Tiranë jemi përpjekur që ta ndryshojmë ekosistemin. Kjo do të thotë se ekosistemi ynë mund të prodhojë histori suksesi dhe sot mund të themi se kemi bërë një punë të jashtëzakonshme si skuadër. Dua t’ju falenderoj nga zemra sepse burimi i frymëzimit, por edhe disa shembuj praktikë, vijnë nga diaspora, nga njerëz që kanë dalë, kanë parë botë me sy, kanë marrë eksperienca të ngjashme, që nuk ia plasin histerisë para se të zhvillohet historia”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi gjithashtu sakrificat e shumë shqiptarëve, sidomos për t’i shkolluar fëmijët dhe për t’i bërë ata qytetarë më të mirë në vendet ku kanë emigruar.

Veliaj falenderoi komunitetin shqiptar në Kanada edhe për faktin se kanë ruajtur kulturën dhe traditat, edhe pse janë larguar prej vitesh nga Shqipëria. Ai i ftoi po ashtu që të rikthehen dhe të investojnë në vendin e tyre të lindjes.

SHKARKO APP