Veliaj në Zallherr: “Fitojmë në 21 qershor, të gjithë duan të shkojnë në drejtimin e duhur”
Kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj zhvilloi sot një
takim me banorët e Zallherrit. Gjatë takimit, Veliaj premtoi se për herë të
parë Bashkia do të ndihmojë me grante fermerët. Ai theksoi se do hartojë
një guidë në shqip dhe anglisht për të promovuar Tiranën.
“Për herë të parë, bashkia do fillojë të japi grante, por për grante na
duhen projekte konkrete. Ne duam të hartojmë një guidë të plotë në shqip
dhe anglisht për atraksionet që ofron Tirana. Kurora e natyrës që i është
shtuar Tiranës është një pajë e jashtëzakonshme. Kemi rreth 100 liqene, 13
kala. Shumica e njerëzve që jetojnë te Tirana e betonit s’e kanë idenë që
këto ekzistojnë. Ne duam të ofrojmë iniciativa për fermat për të zhvilluar
agroturizmin. Në bashkinë e Tiranës do ketë një biletë unike. Çdo qytetar
të ketë mundësi të udhëtojë, pa i ndarë njerëzit ca të fshatit ca të
qytetit, ca të njerkës ca të nënës”, u shpreh Veliaj.
“Që tani kemi piketuar projektet që duhet të bëjmë për Zall-Herrin.
Ndërtimi i një ure është ajo që na duhet për fshatin Binar që ta lidhim
këtë fshat me pjesën tjetër të Tiranës. Fondi prej 33 milion lekësh për
ndërtimin e rrugës. 40 milion lekë që ujsjellësin e Qinamit brenda këtij
mandati do të bëhet i mundur që ai të furnizojë me ujë të gjithë banorët”,
tha Veliaj.
Ai tha se në 21 qershor koalicioni i majtë do të fitojë në të gjitha zonat
e Tiranës. “Çdo njësi, nga Zall-Herri deri në Ndroq, nga Krraba deri në
Kashar, nga Shëngjergji deri në Petrelë, nga Kombinati në Kinostudio, e
kanë kuptuar se në 4 vjet Tirana ka qenë kundravajtje. Ndaj do të fitojmë
24 me 0, për të treguar se të gjithë duan të shkojnë në drejtimin e duhur”,
deklaroi Veliaj.
Ai foli edhe për tregjet e përhershme dhe të përkohshme ditore. “Do të
transformojmë mënyrën si funksionon bujqësia dhe disa institucione të
tjera. Nuk mundet që qeveria qendrore të merret me çdo kanal vaditës dhe
çdo qëndër shëndetësore, nga Konispoli në Malësi të Madhe. Ndaj, kemi
kërkuar që, duke filluar nga sektori i bujqësisë, kompetencat e qeverisë
qendrore t’i kalojnë bashkisë, që bashkia të jetë më pranë qytetarëve”, tha
Veliaj.
Pikat e programit për Zall-Herrin
1. Mbulimi i Zall-Herrit me linja të transportit publik;
2. Ndërhyrje në infrastrukturën vaditëse, e cila është amortizuar;
3. Ndërtojmë urën e Pinares
4. Rikonstruksion i rrugës Çekrezë-Ksallë-Qinam
5. Rikonstruksion i ujësjellësit Qinam
6. Rikonstruksion i rrugës Dritas, lagja qendër Baqosht
KOHA JONË SONDAZH

