Veliaj nga Kombinati: Partia tjetër vetëm po gënjen dhe se kur e ka braktisur popullin 4 vite
Kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj, nga Njësia 6, ku zhvilloi një takim me banorët e Kombinatit, ironizoi koalicionin e dyshes Berisha-Meta, të cilët nuk kanë bërë asnjë aktivitet në Tiranë që pas hapjes së fushatës në stadiumin “Arena Kombëtare”.
“Teorikisht ata i bënë të 3-tat e tragjedisë së Saliut. Tani, në qoftë se me të 3-tat s’kanë dalë ende nga shtëpia, imagjino çfarë ndodh pas 14 majit, kur të kenë të 40-tat!”, tha Veliaj. Ai tha se partia tjetër vetëm po gënjen dhe se kur e ka braktisur popullin 4 vite, nuk e ka problem ta braktisë prapë, siç po bën edhe në ditët e fushatës që nuk po duken gjëkundi.
“E keni vënë re se që kur ndodhi ajo e stadiumit, se ishte si ditë vakie, Saliu u fliste karrigeve – kur të kenë të 40-tat, s’do dalin më në rrugë. Më vjen keq për krahasimin se është për të qeshur dhe për të qarë. Ne i mbajmë mend fushatat kur drejtonin ata. E mbaj mend çfarë ndodhte në “Kombinat”, si kërciste kallashi në ’96-’97, si u vranë njerëzit me njëri-tjetrin, si dilte Sudja dhe thoshte: “Falas, falas, falas, falas”, deri sa doli Sudja pastaj e tha: “S’ka më lekë”, edhe e mbylli qepenin. Sepse nuk ka asgjë falas.
Këta që thonë sot do ta bëjmë falas transportin, e kanë Bashkinë e Shkodrës në Tiranë kemi 20 linja autobusësh në qytet dhe 19 në fshat, kurse në Shkodër kanë vetëm një linjë le ta bëjnë falas. Po të shikoni ata kanë dy programe. Një program është për ata që tashmë i kanë rrejt.
Kurse programi tjetër është për ata që duhet t’i rrejnë. Në Shkodër ata nuk shkojnë dot me autobusin falas, se me të drejtë një njeri në Shkodër thotë: “Po ti e ke bashkinë, bëje falas, kush po të pengon ty?”. Për ne që e kemi përjetuar prej vitesh çfarë do të thotë të udhëhiqesh nga këta, ne jemi ata që duhet me u rrejt, me histori që nuk kanë asnjë pikë baze”, u shpreh Veliaj.