Veliaj nga Njësia 8: Mirënjohje motrave dhe vëllezërve nga ish-LSI dhe PD që na janë bashkuar
Nga Njësia 8, teksa zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e zonës, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj tha se i vjen mirë që, çdo ditë e më shume, edhe kundërshtarët politikë po kuptojnë se Partia Socialiste është forca që i çon qytetarët përpara. Ai u shprehu mirëseardhjen disa anëtarëve të LSI-së, të cilët iu bashkuan PS-së, sepse kuptuan se ajo lëvizje socialiste ishte një vegël e Sali Berishës dhe s’kishte asnjë ide për të çuar Shqipërinë përpara.
“Kjo është një njësi, e cila ka qenë tipikisht e djathtë, por pas një pune ndër vite, më në fund, Partia Socialiste është forca e parë në Njësinë 8, pas 3 zgjedhjeve të fundit. Është një transformim i jashtëzakonshëm. Ne ende nuk jemi mbi 50%, por jemi forca e parë në këtë njësi dhe sot ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur më përpara. Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq, jemi shqiptarë, kemi një gjak, jemi komshinj, kemi shkuar në të njëjtat shkolla, kemi pasur lidhjen dhe sot shoh këtu shumë motra dhe vëllezër që na kanë ardhur nga ish-LSI, kur kishte emrin e Niptit LSI, se sot ka një emër tjetër. Ata kanë kuptuar se ajo lëvizje socialiste, në fakt ishte vetëm një vegël e Sali Berishës, s’kishte kurrë idetë e majta, kurrë idetë për të çuar Shqipërinë përpara, kurrë idetë për të bashkëpunuar për të mirën. Dhe sot që janë bashkuar me ne, u them mirë se u kthyet në shtëpinë tuaj! Se ka vetëm një të majtë, që është e majtë e vërtetë, një të majtë që beson se ata që fitojnë më shumë, duhet të paguajnë pak më shumë taksa”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se ata kanë bërë zgjedhjen e duhur, që i janë bashkuar të vetmes forcë politike të majtë, që mendon vetëm për të mirën e vendit dhe janë larguar nga ata që kanë hallet e tyre.
“Një forcë e majtë beson se 0,01% e popullsisë që fiton më shumë se të tjerët, duhet të mbajë më shumë peshë, që ne mund të bëjmë shkolla të bukura si këto. Kurse për të gjithë të tjerët, ne do të bëjmë abonenë, siç e kemi bërë në fakt abonenë falas për studentët, do të kemi gjysmën e konviktit të paguar dhe do të japim një bonus social për të gjithë ata që janë në nevojë, siç bëmë me bonusin e qirasë. Por, nuk janë vetëm vëllezërit tanë, motrat tona që përkohësisht u asociuan me LSI-në, edhe me atë fuksin e lagjes, që ka reputacionin si sigurimsi i fundit që ka mbetur në politikë. Sot dua të falënderoj dhe dua t’i mirëpres krahëhapur në njësinë tonë, në këtë njësi që është vërtetë zemra e Tiranës, të gjithë burrat, gratë, gjyshërit, gjyshet që vijnë nga Partia Demokratike dhe kanë vendosur t’i bashkohen forcës sonë. Ju falënderoj shumë për këtë zgjedhje sepse tregon shumë. Tregon se mbi të gjitha partia kryesore nuk është e majta dhe e djathta, nuk është PS-ja dhe PD-ja. Ky gjest tregon se partia kryesore për ju, është familja juaj”, tha Veliaj.
Ai falenderoi edhe gjithë demokratët që po kuptojnë dita ditës qëllimin e Sali Berishës, non-grata. “Për të gjithë demokratët kam një falënderim të madh. E mbani mend Saliun që ishte tek pullë në stadium? Po ato debatet ju kujtohen? Stadiumi i korrupsionit, arena e mafies, stadiumi kriminel, arena e babëzisë? Krejt papritur e ktheu pllakën, siç e kthen gjithmonë. Dhe pasi e ktheu pllakën për stadiumin, u tha: “Kjo është arena e demokracisë! Kjo është arena e lirisë, kjo është arena e fitores!”. Gënjen plaku 80-vjeç. 80-vjeç gënjen si fëmijë akoma dhe mund të ketë rrjedhur, por demokratët nuk kanë rrjedhur dhe fakti që e vetmja gjë që bënë demokratët është që ikën nga stadiumi për ta lënë vetëm, ishte leksioni më i madh që i dhanë atij personazhi, duke e lënë vetëm në stadium, burri 80-vjeç”, përfundoi Veliaj.