Veliaj: Objektivi ynë t’i fitojmë 5 bashkitë në qarkun e Tiranës në zgjedhje e 2023
Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se objektivi i PS-së në këto zgjedhje është që t’i fitojnë 5 bashkitë e qarkut të Tiranës. Veliaj vlerësoi se në të gjitha bashkitë e qarkut Tiranë është bërë një punë shumë e mirë.
“Objektivi është për t’i fituar 5 bashkitë në këtë zgjedhje, në qarkun e Tiranës. Kamza është shumë herë më e pastër. Sot me rindërtimin, me shkollat e reja, rrugët moderne, kemi kaluar nga një kryetar i bashkisë së Kamzës që vendoste tabela me emra të presidentëve, në një kryebashkiak që bën rrugën. Kavaja ka pasur një nga sezonet turistike më të shkëlqyera, në hotelet e Golemit, kanë bërë një punë të shkëlqyer, për Tiranën dhe atyre që e shajnë u është rritur vlera e shtëpisë. Kemi punuar me kokën lart dhe mund t’u kërkojmë mbështetjen”, tha Veliaj.
Veliaj vlerësoi dhe ndarjen administrative duke theksuar se me bashkitë e mëdha janë kryer punë që do të ishin të pamundura të realizoheshin në kohën e ish komunave.