Erion Veliaj: Për çfarë do protestojë Saliu në 7 korrik? Që të ikë Luli dhe të vijë Meta?!

Prezantimi i platformave të kandidatëve në garë për kryetar të PS ka vijuar në Njësinë 7, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndër të tjera për situatën politike në vend pyeti se për çfarë do protestojë Sali Berisha në 7 korrik?

-”Që të ikë Luli dhe të vijë Meta?”,-tha Veliaj.

“Nuk e kuptoj për çfarë protestojnë këta sepse as tërmetin, as pandeminë, as krizën energjitike nuk e shkaktoi qeveria jonë. E kuptoj kur dikush proteston për ngjarjet e 21 janarit, ku u vranë njerëzit në Bulevard. E kuptoj kur dikush proteston për Gërdecin se aty u hodhën njerëz në erë. Por të protestosh për gjëra që nuk i ka në dorë qeveria, përkundrazi qeverisë i ka rënë barra t’i zgjidhë, edhe pse shkaktohen tjetërkund, kjo është çudia e tyre. Por këta edhe kur organizohen në betejë kundër nesh thonë, do t’i rrëzojmë këta socialistët, por Luli dhe shpura e tij të mos vijnë. Njëri thotë të vijë Ilir Meta, tjetri thotë të mos vijë Ilir Meta. Pra, filozofia e tyre është ndarja. Këta mendojnë se bëhen më të fortë duke u përçarë. Ne kemi filozofi krejt tjetër, mendojmë se bëhemi më të fortë duke u shtuar, si një familje”.

Kryebashkiaku shtoi se teksa kundërshtarët luftojnë me njëri-tjetrin, Partia Socialiste lufton për të qenë sa më e përkushtuar ndaj të gjithëve.

“Unë e di se çfarë do ndodhë në 7 korrik! Atyre të Lulit do t’u thonë ikni. Kurse partia jonë është krejt tjetër. Në partinë tonë nuk digjet selia kur ka zgjedhje, njerëzit nuk rrihen me njëri-tjetrin, as nuk vijnë me vare dhe shkopa bejsbolli të rrihen më kundërshtarët. Beteja e PS është për njerëzit, si të qeverisë më mirë”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë në PD thonë se ditën e enjte protestuesit një “vizitë” do t’ja bëjnë edhe Bashkisë së Tiranës!

SHKARKO APP