Veliaj për opozitën: Kur vjen fushata xhirojnë gomat, kur humbin djegin goma
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj thotë se Partia Socialiste do të marrë një tjetër fitore në zgjedhjet e 2025-s. Gjatë takimit me strukturat e Njësisë 9, Veliaj tha se PS nuk ka kohë të humbë me hallet e ”non-gratës”.
“Për sa kohë ne fokusohemi tek hallet e njerëzve dhe jo tek hallet e Saliut, unë besoj se i kemi bërë një nder të madh vendit. Çdo minutë që humbasim me non-gratat, me këta vulë-humburit, me këta që djegin shtëpinë e tyre, është një minutë që kemi humbur për shtëpitë e njerëzve, për hallet e njerëzve dhe për punët që u kemi premtuar njerëzve. Ndaj, motra dhe vëllezër, kokën lart, mëngët përveshur dhe gati për një betejë tjetër në 2025”, siguroi ai.
Po ashtu Veliaj deklaroi se një parti që djeg selinë e saj, nuk mund të merret me hallet e qytetarëve. “Ne duhet të flasim politikisht me njerëzit dhe ata duhet ta dinë qartë se ne nuk jemi për të zgjidhur hallet e Saliut, hallet e non-gratës, hallet e vulës. Pra, një parti që shkon dhe djeg selinë e vet dhe një parti që theret me njëri-tjetrin për vulën, janë halle banale të një grupi shumë të vogël njerëzish. Nuk janë këto hallet e njerëzve normalë. Hallet e njerëzve normalë janë infrastruktura, pastrimi, janë shkollat e reja, kopshti, çerdhet; këto janë hallet e njerëzve normalë”, shtoi ai.
Sipas tij, PD është një parti që e ka lidhur filozofinë e vet me gomat. “E keni vënë re? Kur vjen fushata, xhirojnë gomat; pastaj, kur kanë humbjen e radhës, djegin goma. Unë e kuptoj një parti që ka lidhje për shembull, me librat, ose me artin dhe kulturën, por një parti që e ka lidhur filozofinë e vet me gomat pra, ose xhirim gome në fushatë, ose djegie gomash në humbje – është një çudi shumë e madhe. Pse nga 100 parti njerëzit zgjedhin PS? Njerëzit e mirë, njerëzit e mençur, njerëzit e ditur, njerëzit punëtorë, njerëzit e ndershëm, njerëzit që besojnë se ky vend mund të bëhet nëse secili jep kontributin e vet, shkojnë te e vetmja forcë që ka bërë shtet, që ka bërë qytet dhe sot i ka ngritur kokën këtij vendi”, u shpreh Veliaj.