Veliaj: Po shfrytëzojmë çdo hapësirë për fëmijët që duan të merren me sport
Gjimnazi “Besnik Sykja” në Tiranë, po i nënshtrohet rikontruksionit të plotë, duke i shtuar hapësirat dhe një palestër të re për nxënësit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet për godinën e re, u shpreh i kënaqur me ecurinë e punës. Ai tha se pavarësisht motit jo të mirë të këtyre ditëve, është bërë 50% të punës dhe shkolla pritet të jetë gati për sezonin e ardhshëm mësimor.
“Falenderoj kolegët, të cilët pavarësisht vështirësive të motit, nuk e kanë ndalur punën. Fakti se është bërë më shumë se gjysma e punës, është një lajm i shkëlqyer. Jo vetëm për ne, që jemi palë kontraktore si Bashki e Tiranës, por sidomos për stafin pedagogjik dhe nxënësit, të cilët sot mësojnë te ‘Petro Nini’”, tha Veliaj. Ai dha lajmin se edhe shkolla tjetër ikonë e Tiranës, “Petro Nini Luarasi”, do të rikonstruktohet.
“Mandatin tjetër do të bëjmë një ndërhyrje masive për “Petro Nini Luarasin” e ri, por sot fokusohemi te “Besnik Sykja”, një shkollë në zemër të Tiranës, në mes të Njësisë 5, një nga zonat ku edhe tregu imobilar, tregu i pronës, është nga më të lartët në Tiranë”, nënvizoi Veliaj. Për këtë arsye, tha kreu i bashkisë, është treguar kujdes që hapësira të shfrytëzohet maksimalisht, në mënyrë që terrenet e reja sportive, me të cilat po kompletohet çdo shkollë, të përdoren nga fëmijët edhe gjatë orëve të pasdites.
KOHA JONË SONDAZH

