Veliaj pret aktorin hollivudian Danny Glover: I lumtur që Tirana mirëpret figura të tilla që rrisin reputacionin e qytetit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka pritur në një aktorin e famshëm hollivudian, Danny Glover, i cili ndodhet në Tiranë për xhirimin e filmit të tij më të fundit të titulluar ”The Prosecutor”, që do të transmetohet në Netflix. Glover dhe skuadra e tij xhiruan disa nga skenat e serialit në kryeqytetin shqiptar, producent i të cilit është Ylli Ujka.

Veliaj tha se është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Tirana pret një aktor kaq të madh si Danny Glover. “Jam shumë i lumtur që në Tiranë po xhirohet një serial i Netflix me titull ‘The Prosecutor’. Ne jemi rritur në ato vitet e vështira, kur nuk kishim akses në televizionin amerikan, ku me antenat e sajuara filmat amerikanë i shikonim të dubluar italisht, ndërsa kinemaja, arti, aktorët, kanë qenë një dritare për një botë ku Shqipëria aspironte të bëhej pjesë. Nuk do e kisha imagjinuar që aktorë si Danny Glover do të vinin në qytetin tonë për të xhiruar filma, dhe platforma prestigjioze si Netflix i ngrenë reputacionin e Tiranës. Ndonjëherë mrekullitë ndodhin dhe jam shumë i lumtur që jeni në qytetin tonë. Ky vend do të jetë gjithmonë shtëpia juaj dhe jeni gjithmonë i mirëpritur”, tha Veliaj.

Aktori Denny Glover u shpreh se është ndjerë shumë i mirëpritur në Tiranë dhe mezi pret vizitën e radhës. “Kam mundësinë të flas për vizitën e veçantë që pata këtu në Shqipëri, dhe gjithashtu sa i vlerësoj njerëzit me të cilët punoj këtu. Të jesh i njohur është një gjë, por të jesh i respektuar dhe i dashur është dicka tjetër, dhe unë jam një mik i popullit shqiptar. Kjo vizitë nuk do jetë e fundit e imja këtu në Shqipëri. Faleminderit shumë”, tha Glover.

Danny Glover është një nga aktorët më të njohur amerikanë, i cili ka luajtur në shumë role në kinemanë e Hollivudit, ku më i njohuri mbetet “Lethal Weapon”, krah Mel Gibson.

SHKARKO APP