Veliaj pret delegacionin kanadez: Bashkëpunim për krijimin e lehtësirave për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kanada

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim një delegacion nga Parlamenti i Kanadasë, i kryesuar nga Kryetari i Parlamentit, Anthony Rota, të cilët zhvilluan një vizitë zyrtare në vendin tonë. Veliaj shprehu mirënjohjen e tij për mirëpritjen që Kanadaja i ka bërë qytetarëve shqiptarë atje, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Fakti se disa prej shqiptarëve që jetojnë në Kanada, e që janë histori suksesi, po kthehen për të investuar, për të ndërtuar këtu, për të blerë prona, për të hapur një biznes, ata shërbejnë edhe ata si ura bashkëpunimi. Ndaj, besoj se është shumë e rëndësishme ajo që bën diplomacia, është shumë e rëndësishme ajo që bën politika, edhe më e rëndësishme është ajo që bëjnë njerëzit e thjeshtë, që na lidhin në një mënyrë të pazgjidhshme”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se Shqipëria dhe Kanadaja kanë një raport shumë special, sidomos sa i përket bashkëpunimit për krijimin e lehtësirave për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kanada apo anasjelltas.

“Kur drejtoja Ministrinë e Mirëqenies Sociale, në atë kohë nisëm negociatat për njohjen e sigurimeve shoqërore me Kanadanë. Tashmë marrëveshja ka hyrë në fuqi dhe kush ka punuar në Shqipëri apo në Kanada, mund të mbledhë pensionet e veta. Duket si gjë e vogël në politikën e madhe të çudirave që po ndodhin sot në botë, por është shumë e rëndësishme për njerëzit. Roli ynë është të kujdesemi për atë që njerëzit e kanë më shumë të nevojshme, që janë të ardhurat, pensionet, kursimet e tyre. Raporti special që kemi me Kanadanë është i jashtëzakonshëm. Kur kombet bëjnë gjërat e duhura, tregojnë solidaritet, kur kombet tregojnë përkushtim për kauza të përbashkëta, për ideale të përbashkëta, siç është demokracia, siç është hapja e shtëpisë për ata që kanë nevojë, siç ishte rasti i afganëve, që ishin fillimisht në Tiranë dhe në Shqipëri, dhe pastaj vazhduan në Kanada, besoj se i kemi lidhur fatet në më shumë se sa një mënyrë”, tha Veliaj.

Kryetari i Parlamentit të Kanadasë, Anthony Rota falenderoi kryebashkiakun për mikpritjen e ngrohtë dhe tha se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për të dyja vendet.

SHKARKO APP