Erion Veliaj pret senatorin italian, Luciano D’Alfonso: Eshtë mik, vëlla, një italo-shqiptar – duke qenë se është edhe shtetas shqiptar dhe një senator me reputacion të jashtëzakonshëm
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim senatorin italian, ish kryetarin e Bashkisë së Pescara-s, Luciano D’Alfonso, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe historitë e suksesit mes dy shteteve. Veliaj e falenderoi senatorin D’Alfonso për mbështetjen që i ka dhënë komunitetit shqiptar në Itali.
“D’Alfonso është mik, vëlla, një italo-shqiptar – duke qenë se është edhe shtetas shqiptar – dhe një senator me reputacion të jashtëzakonshëm në Itali, ambasador ‘de fakto’ mes Shqipërisë dhe Italisë. Ju jam shumë mirënjohës që, një italo-shqiptar si ju, është edhe një avokat shumë i zellshëm i kauzave të përbashkëta. Si në çdo fushë, nëse dikush nuk të hap derën, nëse dikush nuk të jep një shtysë, nëse nuk të inkurajon të ecësh përpara, sigurisht suksesi bëhet më i vështirë. Por, diplomacia mes njerëzve, një derë e hapur nga dikush me reputacion, i cili krijon mundësi për të tjerët, është një bekim i madh për ne”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se është me rëndësi që të forcohen akoma më shumë urat e bashkëpunimit edhe me senatin italian.