Veliaj prezanton ambasadoren e re të Izraelit në Tiranë: Krenarë për mijëra familjet shqiptare që i mikpritën hebrenjtë pa paragjykim
Galit Peleg, ambasadorja e re e Izraelit në Tiranë, e nisi zyrtarisht detyrën përmes një ceremonie të zhvilluar në memorialin kushtuar hebrenjve në Parkun e Liqenit Artificial.
Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi ambasadoren Peleg një diplomate karriere të suksesshme, e cila ashtu si paraardhësit e saj, dëshmon respektin që shteti i Izraelit tregon ndaj Shqipërisë. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që mirëpresim në Tiranë një mikeshë, një ambasadore karriere; është respekt që shteti i Izraelit tregon ndaj Shqipërisë, duke sjellë ambasadorë me kalibër të lartë”, deklaroi ai.
Veliaj u shpreh se ndihet krenar që Shqipëria është një nga të paktat vende që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u hapi dyert hebrenjve. “Kemi ardhur jo rastësisht këtu, në memorialin kushtuar Holokausttit në Parkun e Liqenit të Tiranës, për të kujtuar se Shqipëria jonë e vogël ka mbajtur qëndrimin e duhur, duke u reshtuar në anën e duhur të historisë. Ky qytet kishte vetëm 200 hebrenj në fillim të luftës, kurse në fund të saj rreth 2000. Pavarësisht nëse familjet ishin katolike, ortodokse, sunite, shiite, apo protestante, i mikpritën pa paragjykim, pa parë racizëm, pa qenë të infektuar nga antisemitizmi,” u shprej më tej ai.
Diplomatja, e cila ka shërbyer në disa misione të rëndësishme përpara se të vinte në Shqipëri, tha se si bijë e të mbijetuarve të Holokaustit, ndihet e nderuar që do të nisë detyrën në Tiranë nga ky memorial i kujtesës.