Veliaj prezanton aplikacionin e ri “Udhë” për transportin: Mbështesim nismat inovatore për të kursyer
Një nga aplikacionet më të suksesshme në Kosovë, i quajtur “Udhë”, – platforma që ofron risi për transportin, duke ulur kostot përmes ndarjes së automjetit me pasagjerë të tjerë, – do të funksionojë së shpejti edhe në Tiranë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti Drejtorin Ekzekutiv të “Innovation Centre Kosovo”, Uranik Begu dhe Eroll Gorçin, drejtuesin e platformës “Udhë”, të cilët i përshëndeti për idetë inovatore dhe shumë aplikacione që sot përdoren nga mjaft qytetarë.
Veliaj u shpreh se aplikacioni “Udhë”, i krijuar nga të rinj të talentuar, është një mënyrë shumë e mirë për të kursyer. “Ne harxhojmë shumë kohë duke promovuar idetë dhe projektet e huaja, por harrojmë idetë e shkëlqyera që i kemi këtu ngjitur, në shtëpinë tonë. Kemi nevojë për aplikacione si ky i juaji, por edhe mënyra të tjera për të kursyer në një moment kur çmimi i naftës dhe i benzinës është rritur. Kjo do të thotë se përpara një sfide kemi gjithmonë dy opsione: E para është të dorëzohesh, si zgjedhja më e thjeshtë dhe e mërzitshme; e dyta është të krijosh inovacion, të përshtatesh. Unë besoj te kjo e dyta. Ne u përshtatëm gjatë pandemisë, gjatë tërmetit, e kështu duhet të përshtatemi edhe tani”, theksoi Veliaj.
Aplikacioni “Udhë” ul jo vetëm koston e transportit për qytetarët, por në të njëjtën kohë shërben edhe për uljen e trafikut.
Drejtuesit i ekipit “Udhë”, Eroll Gorçi, u shpreh se kjo platformë bashkon drejtuesit e mjeteve me udhëtarët, duke u mundësuar atyre uljen e shpenzimeve dhe një alternativë në transport. “Ne operojmë prej 1 viti në Kosovë dhe jemi duke filluar dalëngadalë edhe zgjerimin në Shqipëri”, deklaroi Gorçi.
KOHA JONË SONDAZH

