Veliaj prezanton Planin e Veprimit për Rininë
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, prezantoi sot Planin Kombëtar të Veprimit për Rinisë 2015-2020, një dokument i cili do të shërbejë si manual për çështjet e rinisë. Në një takim të zhvilluar me një grup të rinjsh në Qendrën Rinore të Tiranës, z. Veliaj tha se Plani për Rininë vjen si një udhëzim për punësimin e të rinjve, arsimin profesional, praktikat mësimore, buxhetimin e qendrave rinore etj.
Ai shtoi se, për herë të parë, me këtë Plan çdo ministri do të njohë detyrat e veta specifike që lidhen me rininë. “Qeveritë pa një plan, kanë mungesë serioziteti sepse askush nuk ndërton një shtëpi apo zhvillon një biznes pa patur plan”, u shpreh z. Veliaj. Gjatë takimit, ai i njohu të rinjtë edhe me vendimin e qeverisë për të njohur praktikën e shkollës së lartë si vit ekperience pune për konkurset në administratën publike.
“Ka shumë të rinj që duan të punësohen në administratën publike dhe që të punësohen duhet të kalojnë disa burokraci, si për shembull, vjetërsia në punë. Ti mund të jesh i shkëlqyer, të kesh ide të mrekullueshme dhe të jesh i aftë, por je pa eksperiencë. Por, ku do ta marrë eksperiencën një i ri të cilit i kërkohet një vit eksperiencë pune? Ndaj më vjen mirë që udhëzimi i ministres së Administratës Publike, që praktikat studentore të quhen si vit eksperience në punë, u heqin një barrë të madhe të rinjve që duan të punësohen në administratën publike”, shtoi ministri Veliaj.
Gjithashtu ai u ka kërkoi të rinjve të mos qëndrojnë indiferentë, por të angazhohen në këshillat e ardhshëm bashkiakë, pasi vetëm kështu do bëhen avokatë të interesave të tyre. “Politika i ka të gjitha shanset për të qenë një instrument në dorën e çdo të riu për t’u bërë avokat i ëndrrave të veta. Ndaj do ju ftoja të angazhoheshit, pavarësisht bindjeve tuaja politike, për ta diktuar ju politikën. Ftoj të gjitha forcat politike që t’i hapin Këshillat Bashkiak për të rinjtë”, tha z. Veliaj.
Ai gjeti rastin t’u sugjerojë kandidatëve për kryetar bashkie që të krijojnë hapësira të posaçme publike, të cilat të shërbejnë për të rinjtë që duan të zhvillojnë një biznes. “Do doja të kishim një kthim të hapësirave publike për inkubatorë për biznesin, si një mundësi për të rinjtë që duan të kthehen në sipërmarrës sepse besoj se vështirësia e parë e të rinjve që duan të nisin një biznes është të paturit një zyrë dhe disa këshilla”, përfundoi z. Veliaj.