Veliaj: PS një skuadër, Edi Rama kapiteni
Aktivitetin për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste të mbajtur sot pasdite në pallatin e sportit “Asllan Rusi”e ka përshëndetur edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili fjalën e tij ka falënderuar të gjithë ata të rinj që kanë vendosur t’i largohen indiferentizmit dhe të bëhen aktivë në jetën politike të vendit.
Sipas tij, vetëm një rini aktive dhe e angazhuar mund ta bëjë Tiranën dhe Shqipërinë më të mirë.
“Familja jonë politike është si ekipet që luajnë në këtë fushë. Së pari, që të bësh kosh, që të shënosh, që të marrësh një pikë duhet të zbresësh në fushë. Kur dikush vendos që të zbresë nga tribuna e indiferentëve, nga tribuna e cinikëve, nga tribuna e komentatorëve dhe të zbresë në fushë për të shënuar ka bërë ndoshta hapin më të guximshëm, por edhe më të vlefshëm e të dobishëm të jetës së vet. Ndaj, për të gjithë ata që zbresin sot në këtë fushë për të shënuar me fanellën e PS-së, unë ju them mirë se erdhët në lojë”, tha Veliaj.
Më tej, ai e ka krahasuar PS-në me një skuadër, ku kapiten është Edi Rama.
“Kemi kapitenin më të mirë, Edi Ramën, kemi ekipin më të mirë, Partinë Socialiste të Shqipërisë. Por, si çdo lojë që bëhet në skuadër, askush nuk ia del dot vetëm”, shtoi Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

