Veliaj: Sali Berisha dhe Ilir Meta gati të deklarohen protofashistë
Duke komentuar debatin për saktësimin e emërimit të rrugës “4 Shkurti” në rrugën “Dëshmorët e 4 shkurtit”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se këto reagime të opozitës vijnë sa herë që në Tiranë flitet për antifashizmin.
Në një intervistë për Top News, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve në Shqipëri dhe në Kosovë që të mos bien pre e komenteve përçarëse, nga politikanë dhe analistë që janë gati të deklarohen protofashistë.
“Unë e di ekzaktësisht kush punon për kë interes të grupeve të huaja, apo të politikanëve që synojnë përçarjen. Ndaj, edhe u bëj thirrje vëllezërve dhe motrave në Kosovë, mos u përçani nga këta njerëz, shikoni faktet – opinionet i kemi të ndryshme, por faktet nuk mund t’i kemi të ndryshme. Ju përmenda një listë faktesh dhe nuk pranoj komente as nga Sali Berisha, as nga Luli me Joridën dhe sidomos nga LSI-ja, që në 2012-ën e ka konsideruar një akt të tradhtisë së luftës dhe të partizanëve riemërtimin e rrugës, kurse sot papritur janë gati të deklarohen fashistë. S’ka asnjë problem, se një parti që nisi si lëvizje socialiste, sot është një ‘freedom party’, pra ka kaluar komplet në ekstremin e djathtë, nga këta “protofashistë” Shqipëria dhe Kosova gjithmonë kanë pasur probleme”, tha Veliaj.
Ai shtoi se e ardhmja nuk i përket as fashizmit, as nazizmit, por solidaritetit dhe vëllazërisë. “Sa të kem frymë dhe sa të jem në këtë detyrë, do të punoj që Kosova të nderohet dhe të respektohet, siç e kemi bërë në gjithë këto shembuj. Do të sigurohem që do të vazhdojmë ta ushqejmë këtë vëllazëri, ndërkohë që e pranoj që, siç ka ndodhur përpara 79 vitesh, ashtu vazhdon ndodh edhe sot, që një pjesë e jona i gëzohet përçarjes, investohet në ndasi, por nuk kanë të ardhme. E ardhmja i përket bashkimit dhe solidaritetit mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe njerëzve të nderuar që marrin emërtimet hapësirat publike në Tiranë, Prishtinë dhe kudo tjetër”, tha Veliaj.