Veliaj: Saliut dhe Metës u ka humbur vula, emri, nuk u ka ngelur më njeri. Harxhuan 100 mijë euro dhe stadiumi prapë ishte bosh

Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, në vijim të rrugëtimit të gjelbër drejt 14 Majit, u ndal edhe në Lagjen 12 në Dajt, ku takoi banorët e zonës dhe mbolli disa pemë me ta. Ai ironizoi hapjen e fushatës së koalicionit Berisha-Meta, kur tha se ata i kanë braktisur edhe njerëzit e tyre, pasi stadiumi “Arena Kombëtare” dje ishte bosh si asnjëherë më parë.

“Saliu kishte më shumë kandidatë për bashkitë në skenë, se sa militantë në stadium. Një burrë 80-vjeç u bënte fjalim stolave bosh. Qartazi shumica e demokratëve kishin ardhur nga kurioziteti për të parë sa i bukur ishte stadiumi dhe nuk kishin asnjë interes për të dëgjuar Saliun dhe Ilirin. Nuk kanë faj demokratët që i braktisin, erdhën se u thanë është falas hyrja në stadium. Kur luan Tirana me Partizanin nuk ikën njeri nga stadiumi. Ndërkohë, kur luan Ilir Meta me Saliun dihet që ndeshja është e shitur dhe e humbur. I rroftë Saliut dhe Ilirit që harxhuan 100 e ca mijë euro, që meqë ra fjala dikush duhet të përgjigjet nga vijnë. Se parti që nuk marrin lekë nga KQZ-ja, që nuk janë të përfaqësuara me logo dhe vulë, duhet të japin llogari ku I gjejnë paratë. Por imagjinoni, kanë harxhuar gjithë ato para dhe imazhi i vetëm që u ngeli është stadiumi bosh”, tha Veliaj.

“Atyre nuk u ka humbur vetëm vula, ju ka humbur edhe emri, nuk u ka ngelur njeri”, shtoi Veliaj.

“Ne duam që, imazhi që t’i ngelet kësaj fushate, përveç fitores sonë, të jenë edhe pemët që kemi mbjellë në çdo komunitet. Ne e kemi me dy njerëz që jo vetëm që ju ka ikur vula, por i ka ikur dhe emri. Saliut dhe Ilirit i ka ikur edhe emri. Ju do të thoni çfarë emri u ka ikur? E keni parë atë fletën e votimit? Aty thotë Partia Socialiste, kryetar Edi Rama; thotë Partia PDIU, kryetar Shpëtim Idrizi; thotë Partia Agrare, kryetar Agron Duka; thotë “Bashkë fitojmë”, emri bosh. E dini pse është emri bosh? Po të vendosin emrin e Ilir Metës, që është zyrtarisht personi që e drejton punën me letra, se ai i ka letrat, mërziten demokratët, se Ilir Meta është non grata për demokratët. Po të vendosin Saliun, nuk e pranojnë në zgjedhje sepse është ‘non grata’”, u shpreh ai.

Vizioni i tyre për gjëra falas dhe shfryrjen e trafikut, sipas Veliajt, duket në mënyrën se si i kishin parkuar makinat dje pranë stadiumit.

“Si historia e Nastradinit, që kishte gjetur një mënyrë si të kursente lekë me gomarin dhe tha: pas 30 ditëve që e lashë pa ngrënë, që të kurseja lekë, te dita 30-të ngordhi, dhe se kuptova pse. Patjetër, mund ta bësh falas, mund të rrijë gomari pa ngrënë 30 ditë, por pastaj ngordh. Ne nuk kemi ardhur këtu me kostum dhe kollare, as me fjalime të shkruara. Pse duhet të shpenzojmë ne si ata në stadium, kur ato lekë mund t’i bëjmë pemë? Mund të fillojmë që tani projektin që këtu ta bëjmë pedonale siç e bëmë te Liqeni i Tiranës, siç e bëmë te Liqeni i Farkës, ta bëjmë edhe te Liqeni i Linzës, se kush i bën dy-tre parqe, bën edhe të katërtin dhe të pestin”, tha Veliaj.

SHKARKO APP