Veliaj: S’do lejojmë të prishet “Don Bosko”, Kosova më ka kopjuar programin

 

Kandidati i ASHE-së për Tiranën, Erion Veliaj ka premtuar nuk do te lejojë të prishet qëndra Komunitare “Don Bosko” nëse ai do të jetë në krye te Bashkisë.

Nderkohë qe prezantoi program e tij për zonën e Dajtit, Veliaj ka theksuar se është e patolerueshme që të prishet kjo qëndër për tu ndërtuar pallate.

 Veliaj: “Dje kemi pasur një protestë legjitime nga komuniteti katolik i Shqipërisë, që drejton qëndrën Don Bosko, e cila ndodhet në qëndër të Tiranës dhe ku zhvillohen kurse profesionale dhe ushqehen fëmijët e rrugës. Aty kemi hapësirën e vetme të gjelbër që ka mbetur në atë lagje dhe ku pretendohet nga bashkia aktuale që do të ndërtohen pallate. Ta themi qartë dhe ta themi fort: Sa të jem unë kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk do të ketë leje ndërtimi te Qëndra Don Bosko”.

Veliaj ka deklaruar se rivali i tij Halim Kosova i ka kopjuar programin, ndërsa për banorët e Qesarakës premtoi se brenda një viti do te kenë qëndren shëndetësore të munguar prej vitesh.

Veliaj: “Po ta kishim gabim, atëherë pala tjetër nuk do të na kopjonte. Fakti që na kopjon edhe pse na shan, do të thotë se e paskemi mirë. Kemi vendosur të hapim qëndrën e re shëndetësore në Qesarakë, se nuk mundet Dajti të ketë të njëjtat shërbime që kishte në ’91. Mezi pres që ne të kemi mundësinë të vimë dhe ta inagurojmë shumë shpejt, brenda vitit tonë të parë. Bashkia e re do të ketë mundësinë që të ndërhyjë për fonde në Bashkimin Europian”.

Programi prej 10 pikash për këtë zonë përfshinte edhe investime në infrastrukturë për ta kthyer Dajtin në destinacion të rëndësishëm turstik.

Pikat e programit për Dajtin:

 1. Mbulimi i Dajtit me linja Transporti Publik;

2. Kthejmë Dajtin në një nga destinacionet më tërheqëse turistike;

3. Kthejmë në atraksione turistike Kalanë e Dajtit dhe vendbanimin ilir të Qytezës në Tujan;

4. Rikonstruktojmë urën e Brarit;

5. Ndërtojmë një shkollë të re të mesme në Shishtufinë;

6. Rikonstruktojmë shkollën 9-vjeçare në Ferraj;

7. Hapim një Qendër Shëndetësore me shërbim 24 orë në Qesarake;

8. Rikonstruktojmë Rrugën nga Uzina e Traktorëve-Lanabregas;

9. Sistemojmë rrugët e brendshme të Priskës dhe rikonstruktojmë rrugën Priskë-Darshen;

10. Sistemojmë kanalet vaditëse të fshatrave Brar, Ferraj e Linzë.

SHKARKO APP