Veliaj shpërndan Kartën Rinore Evropiane: Çmime të reduktuara për gjimnazistët dhe studentët shqiptarë këtu dhe në Europë
Bashkia e Tiranës nisi shpërndarjen e Kartës Rinore Europiane për gjimnazistët dhe studentët, e cila njihet në 36 vende të Europës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi, shpërndanë kartat e para, të cilat ofrojnë një sërë mundësish për studentët shqiptarë.
Veliaj tha se deri më tani, falë Kartës së Studentit dhe marrëveshjeve me bizneset në Shqipëri, të rinjtë përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara në 2000 subjekte.
“Deri sot na janë përgjigjur dy mijë sipërmarrje dhe mbi 75% e studentëve të Tiranës e kanë Kartën e Studentit. Shpenzimet nuk mbarojnë, por në momentin kur mund të kursejmë 5, 10, 15, apo 20%, duke filluar nga mensat, pajisjet elektronike, ato shkollore etj., është diçka që të ndihmon, sidomos në këto kohë ku të gjithë duhet të jemi pak më kursimtarë. Por, me Kartën Rinore Europiane që shpërndajmë sot, ne kemi dalë jashtë kufijve të Shqipërisë”, tha ai.
Kjo kartë është një mjet që fuqizon të rinjtë, duke ofruar zbritje në 36 vende të Evropës në sektorët: kulturë, akomodim, udhëtim, argëtim, trajnime e studime, sektorin shëndetësor, sektorin bankar, në turizëm, telekomunikacion dhe internet, sport, shopping, etj. Në total janë rreth 7 milion kartëmbajtës dhe mbi 60.000 biznese që ofrojnë zbritje në Europë, ndërsa në Tiranë falë Agjencisë së Rinisë, 2000 shërbime të Kartës së Studentit, do të ofrojnë ulje edhe për mbajtësit e Kartës Rinore Europiane përgjatë vitit 2022.