Veliaj shpreh ambicien: Mandatin tjetër do kemi një stadium të mbyllur për atletikën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Presidentin e Federatës Europiane të Atletikës, Dobromir Karamarinov, me të cilin biseduan për investimet në sportin e atletikës dhe disiplina të tjera. Veliaj tha se sporti bashkon njerëzit, pavarësisht se me çfarë merren ose nga cili vend vijnë.

“Sporti i bashkon njerëzit! Për shkak të luftës në Ukrainë, një pjesë e skuadrës së atletikës së Ukrainës është strehuar në Shqipëri. Atë që kemi bërë me hebrenjtë, me vëllezërit tanë nga Kosova, atë që bëmë me afganët, atë që bëmë me iranianët, po e bëjmë tani edhe me qytetarët e Ukrainës. Për nënat me fëmijë sidomos”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se Bashkia e Tiranës ka vendosur një standard, duke dhënë mesazhin se i kushton rëndësi sportit, nuk lejon federatat të vjedhin zgjedhjet.

“Përveç Parkut Olimpik, kemi në dispozicion edhe fushën mbas Universitetit. Është një hapësirë ku duam që Izmiri, Luiza, që janë më të mirët tanë, të kenë një hapësirë shumë dinjitoze për t’u stërvitur. Ky është mesazhi që ka dhënë Bashkia e Tiranës me federatat që nuk i vjedhin zgjedhjet, që nuk i shesin ndeshjet, që nuk vënë baste jashtë për të shitur idealin dhe talentin e të rinjve tanë. Me Federatën e Futbollit nuk lejuam që të vidheshin zgjedhjet në Tiranë. Këtu kemi vendosur një standard”, vijoi më tej Veliaj.

Duke folur për investimet në Tiranë, ai shtoi se mandatin tjetër do të investohet për një stadium të mbyllur të atletikës, teksa përmendi edhe disa investime të tjera dinjitoze për sportin.

“Mandatin tjetër duam të bëjmë një stadium të mbyllur të atletikës, ashtu siç duam të rinovojmë dhe të rikonceptojmë stadiumin “Selman Stërmasi” dhe pallatin e sporteve “Asllan Rusi” pra, janë tre projekte madhore në sport. Muajin tjetër do të marrim në dorëzim pishinat e Tiranës; edhe Federatës së Notit t’i japim atë që meriton, pasi ka mbaruar kontrata 20 vjeçare atje. Pra, gjëra po vijnë aty ku duhet, në vendin e tyre, ku federatave, sportit, talenteve, u japim asetet që të zhvillojnë aktivitetin e tyre”, përfundoi ai.

Presidenti i Federatës Europiane të Atletikës, Dobromir Karamarinov tha se është i lumtur që Tirana po i kushton një vëmendje e veçantë atletikës.

“Ju jeni gati të bëni një pistë të re atletike dhe mendoj se do të gjejmë zgjidhjen më të mirë për atletikën, zgjidhjen më të mirë për të gjithë të rinjtë në Tiranë, që të kenë mundësinë të ushtrojnë sportin tonë të bukur. Kjo do t’i japë mundësinë Tiranës të presë një tjetër konkurs jo vetëm në rrugë, por edhe në pistë”, u shpreh Karamarinov.

SHKARKO APP