Veliaj: Shtyhet deri në qershor afati për detyrimet e bizneseve
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një lidhje direkte në Dita Jonë, u shpreh se në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak do të merret vendimi për të shtyrë detyrimet e bizneseve deri në qershor, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi në vend.
“Një nga vendimet e para që do të marrë Këshilli Bashkiak në mbledhjen virtuale do të jetë shtyrja e afatit për të gjitha detyrimet nga bizneset deri në qershor. Unë jam kundër atyre politikanëve populistë që vendimet merren çdo ditë. Ne nuk mund të marrim vendime ditore. Ne kemi pasur vetëm një ditë humbje pune, që ishte e premtja. Më pas do të konsultohemi me qeverinë, sa të zgjasë kriza, në të njëjtën masë do të jetë ndihma”, u shpreh Veliaj.
Mbyllja e parkut
“Në dallim nga një dyqan, nuk ka një qepen, është një hapësirë gjigante dhe kërkohet një sensibilizim i posaçëm. Vumë re se shumë të moshuar vijuan të luajnë domino aty. Arritëm në konkluzionin që të merrnim këtë masë radikale. Parku po kthehej në një magnet për qytetarët, sidomos për të moshuarit. Për të qenë bashkë nesër, duhet të jemi të ndarë sot”.
Masat
“Kjo është një situatë e jashtëzakonshme. Fakti që kemi mbërritur në këtë ditë është se duhet të marrim masa të jashtëzakonshme. Një nga arsye që disa nga fqinjët tanë kanë shumë të prekur është se e morën më lehtë. Në 97-ën i dëgjonim plumbat, tani është e pamundur të dëgjojmë plumbat virtualë”.
Qytetarët me aftësi ndryshe
“Është absolutisht e nevojshme të kujdesemi për më të dobëtit. Ne jemi në kontakt me të gjithë institucionet dhe ata janë pjesë e listave tona. Numri ynë i gjelbër 0800 888 është në dispozicion. Të gjithë duhet të bëjnë detyrën e qytetarit dhe duhet të na sinjalizojë për rastet që kanë nevojë”.