Veliaj: S’jemi parti që xhiron gomat. Kryemadhi vjen në Tiranë për konferencë dhe ikën me vrap në Lalëz
Njësia 9 ishte ndalesa e radhës së kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kjo për të dëgjuar prezantimet e platformave të kandidatëve në garë për kryetar të PS. Veliaj u shpreh se PS-ja është e hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet një familjeje të madhe.
“Te partia e Saliut dhe e Lulit duhet të jesh djali ose vajza e dikujt. Tek partia e Ilir Metës dhe Monikës, je o burri, o gruaja, që hap qepenin e dyqanit politik në mëngjes. Këtë s’e thotë dot njeri për PS-në. Unë dhe Ogerta kemi qenë shokë shkolle te “Sami Frashëri”. Po t’i kthehemi mbrapsht jetës sonë, mundësinë për të transformuar maternitetin ku kemi lindur, çerdhen dhe kopshtin ku kemi shkuar apo shkollën 9-vjeçare dhe gjimnazin, ta jep vetëm Partia Socialiste. Në një parti tjetër, nuk do të na i kishte hedhur sytë njeri, se do thoshin ti nuk je i filanit, ti nuk je kunati, djali, vajza e dikujt, siç funksionon atje”.
Për kundërshtarët politikë, kreu i Bashkisë tha se Kryemadhi që vjen në Tiranë sa për të dalë në konferenca shtypi dhe kthehet prapë te shtëpia në Lalëz, është jashtë realitetit.
”Kur t’i dëgjon Monikën që ankohet për inceneratorët, për ministrat e saj, për stafet e saj, flet si ata të “La casa del papel”, që hynë të vidhnin bankën dhe u mërzitën që nuk e ndanë plaçkën njësoj. Janë komplet jashtë realitetit sepse këta kanë halle të tjera. Këta vijnë në Tiranë, japin konferencën për shtyp dhe kthehen prapë në Lalëz. Kurse ne i kemi rrënjët këtu, i kemi sytë dhe vëmendjen këtu”. Kryebashkiaku u shpreh se ndryshimi mes kundërshtarëve dhe Partisë Socialiste, është që askush nuk ka interes nëse do vijë Saliu, Luli, burri apo gruaja.