Veliaj: SPAK të hetojë 21 janarin, Berisha dhe Meta sillen si vegjetariane të politikës
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, thotë se PS-ja kërkon që 21 Janari të marrë nga Prokuroria e Posaçme vëmendjen e duhur, pasi kemi të bëjmë me vrasjen e 4 njerëzve në bulevard, të cilët kishin dalë për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar.
“Ne nuk punojmë në SPAK, nuk punojmë në sistemin e drejtësisë. Përkundrazi një nga arritjet tona është që kemi një sistem drejtësie, ku kryeministri jo vetëm që nuk i bëhet barrë dhe të pengojë drejtësinë, siç ndodhte me Sali Berishën e Ilir Metën, ku ndaloheshin urdhër-arrestet e gardistëve.
Jetojmë në dy realitete të ndryshme. Ajo që Edi Rama nuk mund të bëjë është te bëjë prokurorin e gjykatësin, e sigurisht as unë nuk mund ta bëj këtë. Kemi kërkuar që kjo çështje të marrë seriozitetin më të lartë dhe 21 janari të mos kthehet vetëm në një ritual homazhesh, por të kthehet në një moment reflektimi, që shqiptari-shqiptarin për bindje politike nuk do e vrasë kurrë me plumba në mish”, tha Veliaj për ”Euronews Albania”.