Veliaj: Sulmet dhe akuzat ndaj partnerëve 20-vjeçarë të Shqipërisë, si AADF-ja, janë të turpshme
Fondi “Crimson Finance Albania” (CFFA), që prej disa vitesh është kthyer në një partner për bizneset e vogla në Tiranë, i është bashkuar edhe një partner i ri, “Helenos”, një shoqëri private investimi me seli në Belgjikë, e cila bëhet aksionerja e pestë e konsorciumit, pas Bashkisë së Tiranës, Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Norfund dhe Crimson Capital.
Në fjalën përshëndetëse në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i AADF-së, Michael Granoff, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u ndal te bashkëpunimi i shkëlqyer me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me të cilin Tirana ka përfunduar projektin e suksesshëm për rinovimin e Pazarit të Ri, e aktualisht po punon për kthimin e Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit për të rinjtë.
“Dua të përdor ardhjen e “Helenos”, për të ilustruar pak një reflektim timin mbi debatet që kemi dëgjuar javët e fundit për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Besimi është shumë i rëndësishëm që një shoqëri të funksionojë. Fatkeqësisht, sot më duhet të kërkoj ndjesë, jo për një faj timin, por si kryetar i Bashkisë së Tiranës, për atë minorancë të zhurmshme e cila në javët e fundit është investuar ta minojë këtë besim. Shumë prej tyre – jo se nuk dinë apo kanë harruar, por se nuk duan ta kujtojnë që po të mos ishte për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, nuk do të kishin sot një pasaportë shqiptare. Shumë prej këtyre njerëzve, kartën e parë të kreditit e morën nga Banka Shqiptaro-Amerikane, se dikur çdo gjë bëhej me “cash”. Shumë prej tyre, për herë të parë udhëtuan jashtë vendit nga aeroporti që financohej nga Fondacioni. Sot, shumë prej atyre që mësojnë si të kodojnë, e bëjnë këtë te “Tumo”, që bashkëfinancohet nga Fondi. Treqind biznese te Pazari i Ri, sot tregtojnë në kushte shumë më të mira falë Fondit. Ndaj, është e turpshme që, pas 20 viteve a më shumë kontribut, ne diskutojmë sulme të tilla”, tha Veliaj.
Kurse drejtuesi i AADF-së, Michael Granoff mirëpriti “Helenos” si partnerin e ri në nismën “Crimson Finance Fund Albania” dhe theksoi se besimi është gjëja e duhur që përshpejton zhvillimin ekonomik të një vendi. Që nga themelimi i saj në vitin 2015, nga katër partnerë – Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Bashkia e Tiranës, Norfund dhe Crimson Capital – misioni i “Crimson Finance Fund Albania” ka qenë të shërbejë si një urë lidhëse për biznesin e vogël, që të aksesojnë financat e nevojshme për t’u rritur dhe krijuar vende pune.